UEFA i dha tri pikë Rusisë, Shqipëria beson në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv

Dhënia tri pikë Rusisë në ndeshjen e ndërprerë me Malin e Zi, ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të reagojë me një komunikatë për media.

“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës, i jep në tavoline Rusisë tri pikë, në lidhje me ndeshjen Mali i Zi- Rusi duke dënuar kështu me humbje 0-3 Malin e Zi. FSHF mendon se ky vendim eshte tejet i drejtë: Në përputhje me standardet dhe rregullat e UEFA-s. Duke marrë shkas nga ky vendim FSHF thekson që në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri Komisioni i Etikës dhe Disiplinës nuk aplikoi të njejtin standart gjykimi, sepse dhuna në stadiumin Partizani të Beogradit ishte me ekstreme dhe e shoqëruar gjithashtu me thirrje raciste”, thuhet në komunikatë.

“Pamjet e goditjeve të lojtarëve tanë me karrike dhe sende të forta, fishekzjarret dhe hyrja në fushë e tifozëve në prani të 5000 policëve janë një argument i padiskutueshëm që vendi organizator dështoi për mbarëvajtjen e një ndeshjeje normale futbolli mbështetur në rregullat e UEFA-s. Duke pritur vendimin e 17 prillit të CAS-it ne kemi shumë shpresa për një gjykim të drejtë, jo thjesht që kombëtares së Shqipërise i takojnë 3 pikët, por sepse vendimi në favor të Shqipërisë është vendimi në favor të futbollit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e FSHF-së.