“UEFA do të pranojë stadiumin e Prishtinës”

Në “Sportin Total” në KTV sot është diskutuar për punimet në stadiumin e Prishtinës në mënyrë që të plotësohen kërkesat që të lejohen ndeshjet ndërkombëtare.

Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS, ka njoftuar se kanë garanci se ky projekt do të pranohet dhe pret që punët të përfundojnë në muajt korrik-gusht.

“Mendoj se projekti po implementohet gjithçka me dinamikë të rregullt dhe me rekomandime të UEFA-s është riprojektuar plani sipas kategorisë së katërt. Ne kemi plotësuar të gjitha vërejtjet dhe kërkesat nga UEFA. Me kompanitë rregulluese kemi bërë që të përfundojmë punët në një plan dinamik në korrik-gusht. Kemi garanci që do të pranohet stadiumi në kategorinë e katërt të UEFA-s. Rekomandimet e tyre na kanë jep shpresë që projekti do të pranohet dhe ndeshjet ndërkombëtare do të lejohen të zhvillohen në Prishtinë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti Bekim Haxhiu, ish-nënkryetar i FFK-së, ka akuzuar MKRS-në për mospërgatitje të mirë të planit dhe për mungesën e një debati publik për stadium, para projektimit. Ai ka kritikuar edhe ministrin për “neglizhencë në këtë projekt”. Sipas Haxhiut, përgjegjësia e plotë i takon ministrisë.

“Kemi pas mungesë të një debati publik. Kjo është keq sepse ne jemi shumë prapa. Ne do të kemi stadium me gola rreth 20 metra larg nga tribunat, ndërsa e shohim Evropën ndryshe. Mua do të më vinte marre të shkoja të shikoja lojën si vendas në një shtet tjetër”, ka thënë Haxhiu.

Pronari i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, që e ka nën shfrytëzim stadiumin, ka kritikuar politikën për vonesë në investime në sport dhe për procedurat e gjata për realizimin e ndonjë projekti.

“Janë dashtë 16 vjet të kalojnë që të kemi një nisje për stadium”, ka deklaruar ai duke shtuar se edhe në projektin për stadium të Prishtinës ka pasur parregullsi. “Kemi projektues që janë pothuajse ndërtues, jo arkitektë të licencuar për stadiume”, ka shtuar ai.