U ftua për herë të parë për ndeshje zyrtare me Kosovën: Flet futbollisti i Kosovës U21, Shkëlqim Sadiku

Shkëlqim Sadiku ndihet mjaft i lumtur që u ftua nga Kosova U-21 për ndeshjen ndaj Anglisë U-21, e vlefshme për kualifikime e Euro 2021. Talenti kosovar, i lindur dhe i rritur në Angli premton se do ta japë më të mirët për “Dardanët”. Ai thotë se me punë dhe me përkushtim maksimal, synon të arrijë shumë në karrierë

Shkëlqim Sadiku është në qiellin e shtatë.

Futbollisti i ri kosovar është ftuar në Përfaqësuesen U-21 të Kosovës dhe kjo ftesë e ka gëzuar pa masë.

Qendërmbrojtësi kosovar po e shijon çdo moment të stërvitjeve nën drejtimin e trajnerit Rafet Prekazi.

Ai thotë se fakti se i është dhënë rasti të luajë për Kosovën është një ëndërr që po i bëhet realitet.

“Kjo është një ëndërr e bërë realitet. Kam qenë pjesë e tri kampeve tjera, por kjo ka ndodhur vetëm për ndeshje miqësore. Kjo është një arritje e madhe për mua dhe më duhet ta falënderoj stafin teknik të U-21 për ta parë talentin tim dhe për faktin se më zgjodhën të jem pjesë e një ndeshjeje aq të madhe për Kosovën. Është një ëndërr e fëmijërisë”, thotë futbollisti i lindur dhe rritur në Angli për “Gazeta Express”.

Pa dyshim, ndeshja me Anglinë për të do të jetë speciale, për faktin se ai është lindur dhe rritur atje.

Futbollisti nga Mitrovica e ka prezantuar veten, duke treguar se bëhet fjalë për një djalosh të përkushtuar totalisht në futboll.

“Sa më përket mua, jam një punëtor i madh dhe nuk ndalem kurrë për ekipin dhe gjithmonë luaj për ekipin, jo për veten. Unë e bëj ajo që është më e mira për ekipin. Kam ende rrugë të gjatë për ta përshkuar dhe besoj se do të shkoj lart. Krejt ka të bëjë me punën e madhe dhe të qenit kokulur (i thjeshtë)”, nënvizoi ai.

Futbollisti nga Mitrovica është pjesë e ekipit Tooting and Mitcham, ku luan qe një vit e gjysmë.

19 vjeçari, i lindur më 13 tetor 1999 zbulon se gjatë kësaj vere kishte oferta interesante, por që vendosi të qëndrojë në klubin aktual për t’u pjekur ende si lojtar.

“Në klubin tim gjërat po shkojnë mjaft mirë dhe gjatë afatit kalimtar të verës e refuzova një ofertë për një kontratë profesioniste në Greenock Morton (Championshipi i Skocisë). Ka pasur interesime nga top ligat e Anglisë, por mund ta bëj lëvizjen vetëm në janar, që nënkupton se unë do të vazhdoj të përmirësohem dhe t’i impresionoj trajnerët e mi dhe njerëzit që janë duke më shikuar”, ka shtuar ai.

Shkëlqim Sadiku tregon se ka nisur të luajë futboll kur ishte 6 vjeç vetëm duke e goditur topin dhe duke luajtur për qejf.

Dhe, kur ishte rritur pak e kishte vërejtur potencialin e tij dhe trajnerët kishin filluar të punonin me të.

Ai e kishte filluar karrierën në akademinë Stevenage, ndërsa më pas e kishte vazhduar rrugëtimin në Southend United, prej nga e kishte bërë lëvizjen tek Hayes and Yeading.

Pasi kishte luajtur në ekipin e parë në Hayes and Yeading, e kishte bërë një tjetër lëvizje tek Tooting and Mitcham, ku është duke luajtur edhe aktualisht.

Sadiku synon që në të ardhmen të luajë në një klub më të madh evropian, ndërsa ëndërr e tij është edhe Përfaqësuesja A e Kosovës.