Turqia ia ‘terroi’ kampiones së botës

Kombëtarja e Turqisë ka marrë edhe fitoren e tretë në po aq ndeshje kualifikuese për EURO 2020.

Turqit para tifozëve të vet kanë mposhtur kampionin e botës në fuqi Francën me rezultat 2-0, falë golave të shënuar në pjesën e parë nga Ayhan dhe Under.

Me këtë fitore Turqia ka marrë pozitën e parë në Grupin H me nëntë pikë pas tri ndeshjeve, duke lënë mbrapa Francën dhe Islandën me nga gjashtë pikë.

Ndërkohë kombëtaret tjera favorite si Gjermania, Italia dhe Belgjika kanë marrë fitore të lehta. Leroy Sane dhe Marco Reus shënuan për t’i dhënë fitore Gjermanisë në udhëtim te Bjellorusia.

Ndërkohë Italia e ka hequr qafe Greqinë duke e mposhtur 3-0 në udhëtim falë golave nga Nicolo Barella, Lorenzo Insigne dhe Leonardo Bonucci.

Fitore të lehtë ka shënuar edhe Belgjika para adhuruesve të vet ndaj Kazakistanit (3-0), me golat e shënuar nga Mertens, Castagne dhe Romelu Lukaku.