Turqia, çfarë gabimi!

Ndërkohë që Islanda fitonte në Holandë dhe bënte mjaft të rrezikshme renditjen për “Tulipanët”, ajo që duhej të përfitonte, Turqia, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Skuadra e drejtuar nga Fatih Terim barazoi në shtëpi 1-1 ndaj Letonisë, një rezultat i pafalshëm, pasi me një fitore parakalohej Holanda, pikërisht në prag të përballjes direkte në Turqi, të dielën.

Ndoshta mendja ishte që tani te ajo sfidë, sepse nuk shpjegohet dot barazimi ndaj Letonisë modeste, që nuk ka fituar asnjë ndeshje kualifikuese deri tani, por i ka marrë dy barazime pikërisht Turqisë.

Mesfushori Selçuk Inan i dha fund ankthit turk në minutën e 77-të, por në shtesë letonezi Shabala riktheu makthet te Turqia, që ka vite që vuan me kombëtaren dhe ka harruar suksesin në arenën ndërkombëtare.

Tashmë turqit duhet të mposhtin me çdo kusht Holandën, para se të shkojnë në Republikën Çeke dhe të presin Islandën.

 

https://www.youtube.com/watch?v=HUg2gYDPRv0