Tri ndeshje tri humbje, Kosova e mbyll aventurën e saj me zero pikë

Hendbollistët e Kosovës e kishin “hëngër” në sy fortë e keq Qipron, saqë u doli dardhë me bisht!

Kosova apo disa nga lojtarët e saj që duken si “yje” zhgënjyen me angazhim dhe si rrjedhojë e kësaj edhe pësuan humbje me rezultat 24:22 (14:14) nga Qipro e dobët, në ndeshjen e xhiros së tretë të grupit 4-të të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2019.

Djelmoshat tanë u turpëruan nga një Qipro e cila kishte pësuar fiasko me rezultat 47:16 nga Portugalia, pastaj me 46:13 nga Polonia. Kur nënçmohet skuadra edhe e pëson siç ndodhi me Qipron, në ndeshjen që u luajt Povoa do Varzim të Portugalisë.

Kosova tri ndeshje po aq humbje, të parën nga Polonia me 30:19, pastaj nga Portugalia me 36:22 dhe së fundi nga Qipro.

Pa dyshim se për përzgjedhësin Taip Ramadani është një humbje e rëndë, sepse nuk e kishte pritur sidomos nga Qipro, përderisa humbjet nga Portugalia dhe Polonia ishin të arsyeshme kur dihet se çfarë niveli kanë ato.