Trepça – Prishtina, kacafytje, sulme dhe ndërprerje edhe në hendboll

Derbi i xhiros mes Trepçës e Prishtinës u ndërpre në minutën e 40-të, kur rezultati ishte 25:19 në të mirë të mysafirëve.

Pas një dueli erdhi te një konflikt mes lojtarit të Trepçës, Lindrit Fetahu dhe atij të Prishtinës, Kreshnik Krasniqi.

Fetahu e goditi me kokë Krasniqin, ndërsa më pas u krijua një tollovi ku u përfshinë edhe lojtarë tjerë të të dy ekipeve.

Në fushën e lojës u futën edhe disa shikues të pandërgjegjshëm, por që sipas zyrtarëve të ndeshjes nuk kanë sulmuar ndonjë lojtar apo drejtues të ekipit mysafir.

Pas hyrjes së shikuesve në fushë, gjyqtarët e kanë ndërprerë ndeshjen. Ndërkohë janë thyer edhe disa xhama të autobusit të skuadrës së Prishtinës.