Trepça pranë shkatërrimit, 69 mijë euro borxhe, nisin hetimet për kurdisje ndeshjesh

Klubi që ka traditë nga viti 1932, ndodhet në gjendje më të mjerueshme sesa në vitin e largët kur u krijua.

KF Trepça është zhytur në borxhe, në probleme infrastrukturore por edhe organizative, duke krijuar një situatë aspak të këndshme për futbollin e qytetit me traditë në këtë sport, shkruan Reporteri.net.

Gazeta ka siguruar një dokument të Ujësjellësit, që tregon se KF Trepça i ka 69 mijë e 383 euro borxh.

Klubi ka borxh edhe ndaj KEDS. Sipas informacioneve që janë marrë nga kompania përgjegjëse për distribuim të rrymës, Stadiumi Adem Jashari ka borxh 3758 euro.

Po ashtu, edhe problemi infrastrukturor është i theksuar. KF Trepça, ani pse stadiumi ishte renovuar vjet më parë, e ka lënë në një gjendje të mjerë. Ambientet brenda zhveshtoreve janë përkeqësuar, e disa prej rrethojave të stadiumit edhe shitur në hekrari. Fusha e stadiumit së fundmi është kthyer edhe në fushë patatesh.

Situatë më e mirë nuk është as me shkollën e futbollit. Siç merret vesh nga zyrtarë të këtij klubi, shumica e gjeneratave janë “përzënë” për në shtëpi, duke ndaluar traditën e shkollës së futbollit. Kjo situatë ka sjellur nevojën për lojtarë të jashtëm, për çka Trepça njihet sepse ka në radhët e veta shumë lojtarë që kanë ardhur nga jashtë.

E gjithë kjo gjendje ka sjellur në vazhdimësi reagimin e tifozëve, të cilët kishin kërkuar “Liri për Trepçën”, duke u ankuar në menaxhmentin. Një grup tifozësh kishin vendosur edhe një baner ku shkruhej motoja “Liri për Trepçën”. Madje, ata kanë paralajmëruar peticion.

I heshtur nuk ka qëndruar as simboli i tifozëve mitrovicas, krijuesi i tifogrupit Torcida, Shefqet Begu-Qeti. Ai pati kërkuar në janar të këtij viti që të reagohet për gjendjen në Trepçë, duke thënë se “gjeneratat do të mallkojnë për atë që po ndodhë në klubin e zemrës”.

“Duke e parë ecurinë në klubin e zemrës që është ka ndodhur, duke e parë që gjysma e ekipit është larguar nga Trepça 1932, është e arsyeshme që kryetari i Mitrovicës të reagojë me drejtorin për Sport dhe të kërkojnë Kuvend të hapur, se të gjithë ne si qytet dhe tifozë besnikë të klubit, kërkojmë rezultate të mira. Dhe, KF Trepçës 1932 t’i kthehet dinjiteti, se edhe gjeneratat e reja të tifozëve besnikë të klubit do të na mallkojnë për këtë çka është duke ndodhur në klubin e zemrës. Pa dashur me nënçmu kërkënd që ka dhënë kontribut në klub, koha është që të ndërmerret ndonjë hap i rëndësishëm. Për të mirë të klubit”, kishte shkruar Qeti.

Sidoqoftë, Trepça 1932 ishte futur në një krizë të thellë, kur ra nga Superliga. Madje, ajo rrezikoi të largohej edhe nga Liga e Parë, në të cilin kompeticion edhe dyshohet se ka kurdisur lojë. Sipas raportimeve, hetimet për klubin kanë nisur për kurdisje të ndeshjeve.