Trepça, një emër i madh në futbollin kosovar

Futbollisti i njohur, Emin Baliqi, në një intervistë për Gazetën Monitor, ka thënë që Trepça do të jetë kandidati kryesor për t’u futur në Superligë.

Duke treguar respektin për ekipet kundërshtare, mesfushori me përvojë ka paralajmëruar ekipet se vetë emri Trepçë ka domethënie të madhe në futbollin kosovar.

“Do të jetë një rrugë e vështirë drejt Superligës, ka shumë ekipe që pretendojnë të kthehen në Superligë, por unë mendoj se vetë emri Trepçë, ka një fuqi të madhe në futbollin tonë” ka thënë për Gazetën Monitor mesfushori mitrovicas.

Baliqi, ka treguar pikën më të fortë dhe më të dobët në ekip. Gjithashtu ka folur edhe për largimin e një lojtari cilësor.

“Pika më e fortë në klub është korrektësia, kompaktësia dhe harmonia brenda ekipit nga kryetari e deri tek njeriu i fundit në klub. Por, çdo skuadër ka mangësitë e veta; edhe ne jemi duke e vuajtur largimin jashtë vendit të Sadri Ademit, një lojtar model si brenda ashtu edhe jashtë fushës” ka deklaruar mesfushori i minatorëve.

Ndër të tjera, mitrovicasi ka folur edhe për synimet e klubit gjithashtu për atmosferën e cila mbizotëron në klub.

“Është duke mbizotëruar një atmosfere fenomenale, jo vetëm tani por edhe në sezonin e kaluar, shpresojmë që në fillim të fazës së dytë të mos hasim në vështirësi. Synimi i klubit është që të rikthehemi në Superligë, por do të ishte perfekt që të kthehemi nga vendi i parë” ka përfunduar Baliqi.

Ndërkohë, të dielën Trepça e fillon kampionatin pranveror duke u përballur në Prishtinë, kundër Flamurtarit.

Trepça gjendet në pozitën e tretë me 33 pikë të grumbulluar, një pikë më pak se kryesuesi i Ligës, Ferizaji.