Tre milionë euro për ta bërë “Adem Jasharin” sipas rekomandimeve të UEFA-s

Gati një milion eurove të investuara në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë do t’u shtohen edhe tre milionë të tjera nga arka e shtetit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kaq pret të ndajë për investimet emergjente që janë rekomanduar nga Komisioni i përbashkët i FIFA-s dhe UEFA-s, muajin e shkuar, e po ashtu edhe nga një inspektor norvegjez i UEFA-s, që ka treguar në detaje se çfarë duhet rregulluar për t’u pranuar stadiumi për ndeshje ndërkombëtare, shkruan Koha Ditore.

Në stadiumin “Adem Jashari” është paraparë të bëhet hidroizolimi i tribunave, rregullimi dhe zgjerimi i zhveshtoreve, mbyllja e hapësirave të hapura jashtë stadiumit, vënia e rrethit metalik përreth stadiumit në një gjatësi prej një kilometër dhe lartësi të rrethojave mes 4 dhe 6 metra, pastaj vendosja e reflektorëve, e zërimit dhe e kamerave të sigurisë.

Gjithë këto punë parashikohen të kryhen gjatë verës dhe stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet e Përfaqësueses në eliminatoret “Rusia 2018″, ku Kosova pritet të lejohet të marrë pjesë.

“Nëse punohet intensivisht dhe është një koordinim i mirëfilltë nga të gjitha palët, unë mendoj se mund t’ia dalim ta rregullojmë para muajit tetor, kur Kosova parasheh të luajë ndeshjen e parë kualifikuese për kampionatin botëror”, ka thënë drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj.