Transferi i bujshëm i Interit i pakënaqur me aktivizimin, kërkon largimin nga ekipi

Në verë la Atleticon e Madridit, ku shkëlqeu për vite me radhë, për të bërë të njëjtën gjë te Interi, por kur jemi duke iu drejtuar fundit të sezonit të tij të parë në Serinë A, Diego Godin nuk është përshtatur ende me skemat e Antonio Contes.

I mësuar të luajë gjithmonë në rreshtimin me 4 mbrojtës, uruguaiani nuk po ambientohet dot në atë me 3 që aplikon Conte dhe për këtë arsye ka përfunduar i katërti në hierarki, duke mbetur pas një 20-vjeçari si Alessandro Bastoni.

Pikërisht për këtë arsye mbrojtësi u ka kërkuar drejtuesve zikaltër dhe menaxherëve të tij, që t’i gjejnë një tjetër ekip për sezonin e ardhshëm, ku të ketë mundësi të luajë rregullisht, pasi në moshën 34-vjeçare nuk ka ndërmend të pranojë pankinën dhe të aktivizohet me pikatore.

Këtë sezon me Conten, Godin ka luajtur vetëm 16 ndeshje, ndërsa 8 të tjera i ka parë nga pankina, por duke qenë se kërkon të jetë protagonist edhe në Botërorin e 2022-shit, kërkon të luajë rregullisht për të qenë në formë.