Trajneri ia sheh sherrin vajzës së tij

Skuadra braziliane e futbollit Gremio, është dënuar pasi që vajza e trajnerit Renato Gaucho është futur në fushë, kur skuadra fitoi ndeshjen gjysmëfinale të kupës.

Carolina Portaluppi 22-vjeçare, kishte qenë në bankinë në fazën e fundit të ndeshjes, para se të futej në fushë për të festuar.
Gjykata Superiore e Drejtësisë Sportive në Brazil ka urdhëruar Gremion që ndeshjen e dytë finale të kupës ta luajë jashtë shtëpisë, shkaku i këtij incidenti, transmeton Koha Ditore.

“Gremio është ndëshkuar për futjen në fushë të Carol Portaluppit pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Brazilit mes Gremios dhe Cruzeiros. Tribunali nuk është duke gjykuar dashurinë e një babai për vajzën, por një akt që nuk është i lejuar”, është thënë nga gjykata të enjten.

Klubi po ashtu është gjobitur me 30 mijë realë (8.250 euro), ndërsa Gauchos është paralajmëruar se mund të përballet me masa të tjera disiplinore.