Trajneri i Menemesporit: David Domgjoni mund të luajë për Kosovën, ai do të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë në Turqi

David Domgjoni është një tjetër lojtar i dalë nga futbolli i Kosovës dhe i cili me shumë sukses po luan në Turqi.

Ai është pjesë e klubit Menemespor, që garon në Ligën e Parë të Turqisë (rangu i dytë elitë).

Qendërmbrojtësi Domgjoni është titullar i padiskutueshëm tek kjo skuadër, nga e cila u transferua prej Tiranës.

Javë më parë u tha se lojtari pritet të jetë ardhja e re e Kombëtares së Kosovës, por që u mohua të ketë bisedime të tilla për momentin, por që FFK la derën e hapur për të ardhmen.

Trajneri i tij, Cenk Laleci, ka vlerësuar lart Domgjonin.

“Unë mendoj se pas 1 viti do të jetë një nga mbrojtësit më të mirë në Turqi. Është i fortë fizikisht dhe i fuqishëm, luan me këmbën e majtë, me të gjitha karakteristikat që duhen. Për mendimin tim personal e ka të mundur që të luajë si për Kosovën, por edhe për Shqipërinë”, ka thënë Laleci për Sport Ekspres në Shqipëri, raporton Gazeta Olle.

22-vjeçari Domgjoni është nga Prizreni, derisa karrierën e ka nisur tek Liria.