Tovërlani ngacmon Prishtinën dhe Besën

Feronikeli sezonin pranveror do ta nisë nga pozita e katërt e Superligës së futbollit me gjashtë pikë më pak sesa Trepça ’89.

Por, klubi nga Drenasi është i bindur se në fund do t’ia dalë që kampionatin ta mbyllë në vendin e parë dhe ta fitojë për të tretin vit rresht titullin e kampionit.

Për ta fituar luftën kundër ’89-shit, Llapit dhe Prishtinës, skuadra gjelbërebardhë po ushtron maksimalisht dhe shumë seriozisht në këtë pauzë të ftohtë dimërore, nën filozofinë e strategut Afrim Tovërlani.

Trajneri prishtinas e ka në dispozicion një skuadër mjaft cilësore dhe të kompletuar.

Në këtë pushim dimëror klubi nga Drenasi angazhoi tre emra të mëdhenj e të dëshmuar, si: Labinot Osmanin, Yll Hoxhën dhe portierin Faton Malokun, gjë që ka bërë që shumëkush të konsiderojë se Feronikeli i ka në dispozicion nga dy lojtarë cilësorë për çdo pozitë.

“Nëse shikohet nga ky kënd, atëherë e vërteta është se Feronikeli gjatë verës së kaluar i ka marrë katër lojtarë dhe tre të tjerë i kemi marrë në këtë pushim dimëror. Pra, gjithsej shtatë lojtarë i kemi marrë, kurse kanë shkuar disa. Por, ka klube që i kanë marrë nga 10 apo 15 lojtarë, siç janë Besa apo Prishtina”, tha Tovërlani për “Zërin”.

Por, ish-trajneri i Prishtinës dhe i Trepçës ’89 pranon se në skuadrën e tij tashmë është krijuar një konkurrencë e fortë në mesin e futbollistëve, të cilën Tovërlani është zotuar se do ta menaxhojë në mënyrën më profesionale.

“Edhe unë mund të gaboj, por e di se rrallë mund të më ndodh që të gaboj. Nuk do ta kem problem përzgjedhjen, përveç në ndonjë ndeshje më specifike, për të cilat do t’i marrë parasysh ndoshta dallimet në nuanca për t’u përcaktuar”, theksoi “Toki”, i cili në edicionin e kaluar, përkatësisht gjatë sezonit pranveror me sukses e udhëhoqi “Niklin” drejt titullit, për çka është shpërblyer me kontratë të re dhe me pavarësi të plotë për ta vazhduar punën në Drenas.

“Kemi konkurrencë të fortë dhe të shëndoshë në skuadër. Të gjithë e dinë, e di edhe unë, se Feronikeli është para emrave tanë, pra para gjithë nesh. Nuk do të kenë rëndësi individët sa do të ketë rëndësi interesi i ekipit tonë. Për këtë jemi përcaktuar vetë ne, trajnerë dhe futbollistë, sepse duam t’ia japim më të mirën Feronikelit”, theksoi Tovërlani, i cili pranon se ekipi i tij do të sfidohet fort në pranverë nga rivalët kryesorë: Trepça ’89, Llapi dhe Prishtina.

Emrat e mëdhenj të Feronikelit

Flamur Neziri, Faton Maloku, Besnik Krasniqi, Haxhi Shala, Fidan Gërbeshi, Ardian Limani, Bujar Shabani, Mentor Zhdrella, Behar Maliqi, Mark Milicaj, Blerand Kurtishaj, Diar Prokshi, Ahmet Haliti, Mevlan Zeka, Lulzim Doshlaku, Astrit Thaçi, Drin Lladrovci, Mendurim Hoti, Asdren Gashi, Burim Qorri, Argjend Bardhi, Yll Hoxha, Labinot Osmani.