‘Toki’ nuk dorëzohet asnjëherë: Goxha mirë ia kam marrë dorën pranverës

Vjeshta në futbollin e Kosovës ka përfunduar. Kampioni në fuqi i Kosovës, skuadra e Feronikelit e mbylli kampionatin në pozitën e katërt me 33 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se lideri Trepça ’89.

‘Timonieri’ i skuadrës nga Drenasi, Afrim Tovërlani, në një intervistë për Gazetaolle.com rrëfen vjeshtën e skuadrës nga Drenasi.

Trajneri më i suksesshëm kosovar flet edhe për largimet dhe përforcimet në ekip. 

Në fillim të edicionit, a e keni paramenduar në këtë pozitë Feronikelin pas përfundimit të vjeshtës?

Tovërlani: Realisht kemi merituar më tepër. Përveç dy ndeshjeve, tjerat i kemi luajtur mirë, por na ka munguar finalizimi i rasteve. Nuk jam person që prejudikoi dhe nuk them që e kam pritur apo jo këtë pozitë.

Jeni i kënaqur me lojën e Feronikelit, në shumë ndeshje keni fituar me rezultate të ngushta?

Tovërlani: Jo, nuk jam i kënaqur. Por, megjithatë kampion bëhesh edhe me rezultat 1:0. Lëndimet, kartonët e paarsyeshëm na kanë penalizuar. Megjithatë, ‘lufta’ është  e gjatë dhe pranverës ia kam marrë dorën goxha. Kampioni bëhet në pranverë e jo në vjeshtë, pa e nënçmuar asnjë rival.

Trepça ’89 kampione vjeshte, keni punuar aty dhe e njihni ambientin. E e kanë arritur ketë sukses me meritë?

Tovërlani: Po, ’89-shi me meritë është kampion vjeshtor edhe pse fitoren më të thellë e kemi realizuar ndaj tyre.

Rikthemi te Feonikeli. Ne dy ndeshjet e fundit keni bëre disa ndryshime në formacion. Nuk e inkuadruat shembull portierin Flamur Neziri as në derbi ndaj Prishtinës…

Tovërlani: Në ekip ka shumë futbollistë dhe të gjithë hyjnë në konkurrencë. Për mua janë të gjithë të barabartë. Mund të gaboj, por kurrë nuk më intereson individi para rezultatit të klubit. Kam bërë ndryshime sepse kam menduar ashtu.

Stinori ka mbaruar. A do të ketë ndryshime në ekip, largime dhe përforcime?

Tovërlani: Përforcime do të ketë. Largimet varen nga përforcimet dhe dëshira e ndonjërit që do të shqyrtohet.

Diçka për fund?

Tovërlani: Si duket ka ende të atillë që vështirë e përballojnë faktin që klubi nga Drenasi të shpallet për herë të tretë kampion. Duke filluar nga unë, futbollistët e kemi borxh që të ‘luftojmë’ deri në maksimum dhe t’ia kthejmë kryesisë dhe qytetit të Drenasit, angazhimin dhe hakun që e meritojnë. ‘Toki’ nuk dorëzohet asnjëherë.