Tirana turpëron Partizanin, shkëputet në krye

Nëse do të përshkruanim Tiranën e Egbos deri tani, pas 12 ndeshjesh me 11 fitore dhe 1 barazim, atëherë tre do të ishin fjalët: “Pëso, përmbys, fito”.

Në jo pak raste bardheblutë e kanë pësuar të parët, por në fund ia kanë dalë të marrin tre pikët.

Kështu ka rezultuar edhe në derbin e sotëm, atje ku është fituar në shifrat 5-1 ndaj Partizanit.

Miqtë kanë kalur të parët në avantazh me një super gol të Kordeiros nga goditja e dënimit.

Vetëm dy minuta loje do të kalonin, por kjo ndeshje ishte e destinuar që të vendosej në fillim. Bitri do të ndëshkohej me karton të kuq dhe ishte pikërisht Batha që barazoi nga pika e bardhë në të 16.

Vetëm tre minuta më vonë, Telushi do të bënte një tjetër ndërhyrje të gabuar nga brenda zonës dhe sërish Batha do të mposhte Hoxhën.

I pafat do të tregohej Idrizaj në minutën e 64, kur do të fuste topin në portën e tij, ndërsa Batha do të shkonte për ta ngushëlluar.

E në minutën e 81 ishte Ernest Muçi që i hyrë si zëvendësues thotë fjalën e tij duke përshendetur rrjetën: “Ka mbaruar”. Në fakt, nuk kishte mbaruar aty dhe ishte mashtrim pasi në minutën e fundit erdhi një gol i pabesueshëm nga vetë Muçi nga goditja e dënimit.

Pas kësaj fitore, Tirana mund Partizanin për herë të dytë rresht dhe shkon 9 pikë larg rivalin direkt në Superiore.