Thyhet Shkëndija e Tetovës

Pakujdesitë në mbrojtje i kushtuan Shkëndijës humbjen e parë sezonale.
Tetovarët u thyen 4-2 në fushën e rivalëve për titull të Vardarit në duelin e javës së 10-të të Ligës së Parë maqedonase, që hapi edhe fazën e dytë të kampionatit.
Gjithçka dukej se po shkonte në rrugën e duhur për Shkëndijën, që e mbylli pjesën e parë të lojës në avantazh, me golin e brazilianit Stenio Junior.
Në të 55-ën, Vardari barazoi me 11-metërshin e realizuar nga Felipe, por tetovarët rikthyen sërish epërsinë, me një tjetër penallti të shndërruar në gol nga Ibraimi në minutën e 64-të.
Problemet në repartin difensiv u shfaqën pikërisht pas atij momenti, sepse shpërqendrimi i mbrojtësve bëri që vendasit të barazonin në harkun e vetëm pak sekondave me Blazevskin.
Fatal gabimi i portierit Zahov në të 74-ën, që i dhuroi kundërshtarëve golin e tretë me Felipen, ndërsa me Shkëndijën të hedhur në sulm në kërkim të barazimit, dy minuta përpara fundit Vardari mbylli çdo diskutim me Ytalon.
Kuqezinjtë mbeten në krye të ligës maqedonase, por humbja rihap garën për kreun, me rivalët që tashmë afrohen, ndërsa kanë edhe dy ndeshje për të rikuperuar.