Tha se nuk e njeh: Adem Grabovci kapet mat me Arianit Ahmetin

Ish deputeti i PDK’së, Adem Grabovci, sot gjatë ditës ka mohuar se e njeh zevendëssekretarin e FFK’së, Arianit Ahmetin, i cili po pretendon të marrë postin e Kryetarit të FFK’së, por kjo nuk po del të jetë e vërtetë, shkruan Gazeta Metro.

Ishte spekuluar se Kandidati për Kryetar të FFK Arianit Ahmeti, gëzon mbështetjen e Adem Grabovcit, por kjo ishte mohuar nga Grabovci.

Grabovci kishte thënë se nuk e njeh, por sot paradite ata ishin takuar në restorantin e peshkut, ‘Marko Pollo’, që gjendet përballë zyreve të FFK’së. Gazeta Metro ka siguruar një foto nga ky takimi i tyre.

“Nuk kam lidhje me sport. Mund të flas për skijim apo not, por as idenë nuk e kam se çka po ndodh në FFK. Nuk e di as kush është, as kush po donë me u bë, as kur ka zgjedhje dhe asgjë”, tha Grabovci i cili u pyet nga Express se a e njeh Arianit Ahmetin.

“Kush është ai, idenë nuk e kam. Ndoshta e njoh por tash nuk po më kujtohet. Sinqerisht nuk di asgjë se çka po ndodh”, tha ai.

Kujtojmë që Arianit Ahmeti para disa jave kishte shpallur ambiciet për Kryetar në Federatë, ku momentalisht është zevendëssekretar. Ai ka deklaruar se i posedon 41 nënshkrime nga 59 delegatë, i cili mbështetet edhe nga vija biznesore dhe politike edhe nga individë të afërt me Isa Mustafën. Edhe pse ai vet, gjatë zgjedhjeve të fundit në FFK ishte ankuar për ndërhyrje politike.