“Tërmet” te Sportingu i Lisbonës, presidenti zihet me lojtarët dhe përjashton 19 vetë

Një debat në rrjetet sociale mes presidentit të Sportingut të Lisbonës dhe disa prej senatorëve të ekipit, ka përfunduar shumë keq, me përjashtimin e më shumë se gjysmës së lojtarëve. Gjithçka ka ndodhur pas humbjes me Atletikon e Madridit.

Presidenti Bruno de Karvalo ka përjashtuar 19 lojtarë. Ai ishte shumë i pakënaqur nga humbja 2-0 në Spanjë dhe në Facebook ka kritikuar të tijtë për atë paraqitje të dobët në Europa League. Disa titullarë janë përgjigjur, duke shprehur keqardhjen për mbështetjen e munguar të presidentit të tyre.

“Presidenti drejton gishtin për të fajësuar lojtarët, – shkruan portieri Rui Patricio në mesazhin e tij si kapiten i ekipit, – kur grupi duhet të jetë i bashkuar, pavarësisht situatës që po kalojmë. Të gjithë problemet zgjidhen brenda grupit”. Kaq ka mjaftuar dhe replika e lojtarëve e ka tërbuar presidentin e Sportingut.

Ai ka kaluar në kundërsulm dhe ka përjashtuar të gjithë ata lojtarët që ishin pjesë e kësaj ankese. “Kam shumë fëmijë të llastuar, që nuk respektojnë asgjë dhe askënd. Këta fëmijë mendojnë se mund të shkojnë larg, por këtë herë durimi im është ezauruar për ata që mendojnë se janë më të rëndësishëm se klubi dhe nuk pranojnë kritikat”, – është shprehur kreu i klubit portugez.

Sipas asaj që shkruajnë mediet lokale, në listën e të përjashtuarve janë kapiteni Rui Patricio, Uilliam Karvalo, Koates, Koentrao, Gelson, Piçini, Vendel, Ruben Ribeiro, Dumbia, Bruno Sezar, Podense, Palinja, Leao, Akunja, Batalia, Brajan Ruiz, Bruno Fernandes, Montero e Ristovski.

Mbetet për t’u parë me cilët lojtarë do ta përballojë Sportingu ndeshjen e radhës në kampionat me Pakos Ferreiran.