Te Prishtina harrojnë zënkat, s’duan festë të Pejës në kryeqytet

Te skuadra kampione në fuqi, Sigal Prishtina, nuk e bëjnë të madhe zënkën e trajnerit Antonis Constanditines me tre basketbollistët e tij gjatë ndeshjes së fundit me Pejën.

Atë që ndodhi të dielën në Pejë e quajnë “të rastit” dhe shtojnë se atmosfera është mjaftueshëm e mirë për të mposhtur Pejën të martën, në ndeshjen e katërt finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Peja po udhëheq 2:1 në finale dhe i duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampione. Por te Prishtina janë të vendosur të mos ia japin Pejës këtë rast.

Ndeshja e katërt luhet sot në Prishtinë (19:30), shkruan Koha Ditore.

Të dielën mbrëma, qiprioti Constantinides pati një zënkë në gjysmën e çerekut të tretë me amerikanët Andrew Warren, Willie Kemp e Jason Washburn. Pas këtij momenti, i la në stol dhe nuk i inkuadroi, megjithëse ndeshja po shkonte ngushtë dhe me ndihmën e tyre edhe mund të shmangej humbja, ndoshta.

Kjo nuk është hera e parë që ka përplasje brenda ekipit, pasi Constantinides më herët ishte përplasur me Washburnin gjatë një ndeshjeje.