Të martën prezantohet trajneri i Shqipërisë, ja kush pritet të jetë ai

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tregoi nga Shkodra se trajneri i ri i Shqipërisë do të prezantohet javën e ardhshme.

Numri një i Federatës duket se ka mbyllur gjithçka dhe tekniku i ri i kombëtarës do të prezantohet para medieve ditën e martë.

Një lajm i tillë publikohet nga A2CNN që informon se e marta do të jetë dita kur do të prezantohet numri një i stolit. Shqipëria nuk ka një trajner që pas largimit të Christian Panucci nga stoli. Ervin Bulku drejtoi ekipin për ndeshjen ndaj Andorrës, por tashmë duhet t’i lirojë vendin teknikut të ri.

Emri i ri që pritet të marrë drejtimin e Shqipërisë është Edy Reja. Italiani është takuar me Dukën në Itali dhe duket se marrëveshja është arritur. 73-vjeçari dhe presidenti i FSHF-së kanë rënë dakord dhe mbetet vetëm prezantimi. Për të marrë drejtimin e Shqipërisë u përfol dhe Alberto Zaccheroni, Francesco Guidolin, por edhe Besnik Hasi.