Tare ka gjetur mënyrën se si ta transferojë Muriqin

Një emër që ka kohë që mbetet në “orbitën” e skuadrës së Lazios, është sulmuesi i Fenerbahçes, Vedat Muriqi që duket se mbetet i lidhur shumë me bardhekaltërit.

Përkundër forcës sulmuese që kanë aktualisht në gjirin e tyre me emra si: Çiro Imobile, Felipe Kaisedo dhe Zhoakin Korrea, përveç sulmuesit të ri Boby Adekanye, presidenti Klaudio Lotito, duket se mbetet në treg për të nënshkruar me lacialët.

Muriqi ka qenë i lidhur me Lazion për disa kohë dhe me klubin turk në vështirësi financiare, ekziston një shans i mirëfilltë që ai të mund të bënte një largim nga Turqia këtë verë.

Gazeta italiane “La Gazetta dello Sport” ka raportuar se Lazio ka një plan për të siguruar nënshkrimin e Muriqit. Plani është që të dërgohet drejtori sportiv Igli Tare për të negociuar personalisht, duke pasur parasysh se drejtori shqiptar zakonisht ka pasur suksese në tratativa me lojtarët për t’i bërë pjesë të Lazios ndër vite.

Nëse Lazio dëshiron të nënshkruajë Muriqi, paraprakisht duhet që të paguajë 20 milionë euro. Gjithsesi tratativat pritet që të shihen në ditët e ardhshme, duke pasur parasysh edhe buxhetin dhe shpenzimet e Lazios në këtë periudhë.