Talenti që s’i ndahet futbollit e taekwondos (FOTO)

Fëmijët në hapat e parë në sport nisin me sporte të ndryshme për të kërkuar karrierën e tyre më të mirë.

Mirëpo, të rrallë janë ata që vazhdojnë me dy sporte, madje suksesshëm, dhe që e kanë të vështirë ta ndajnë njërën nga tjetra. Për më tepër janë dy sporte të ndryshme, futbolli dhe taekwondo.

Një talent i tillë në të dyja sportet quhet Eron Brahimi nga Prishtina. 12-vjeçari luan futboll me fatosët e Prishtinës, derisa sukseset nuk i ndalë fare në taekwondo, ku është pjesë e TKD Olympic Art.

eroon

Por, cilën do ta linte nëse do t’i duhet një ditë të zgjedh mes njërës apo tjetrës?

“Më shumë e dua futbollin, por pa marrë parasysh mundësinë, unë prapë do të kisha vazhduar me të dyjat, pasi të dyja këto sporte lidhen njëra me tjetrën”, shprehet në mënyrë diplomatike Brahimi, në një intervistë për “GazetaOlle.com”.

Ai me krenari tregon sukseset individuale të fituara në taekwondo, ku numri i medaljeve deri më tani kap shifrën 14. “Në taekwondo i kam fituar 14 medalje, tetë prej tyre janë të arta, dy të argjendta dhe katër të bronzta. Në futboll ende jam në pritje të sukseseve”.

medaljetttttt

Medaljet e fituara janë në nivel ndërkombëtar, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi e Gjermani, por që nuk i mungojnë edhe nga garat në Kosovë.

Eron është i dallueshëm edhe në futboll. Shpejtësia, forca, pasimi dhe kërcimi janë disa nga veçoritë që i shtyjnë analistët dhe trajnerët të besojnë se ai do të ketë karrierë të pasur. “Veçohem edhe për nga gjuajtjet e lira”, shton mesfushori qendror, duke mos dashur të harrojë njërën nga asetet e tij.

talentiiiii

Si çdo fëmijë, edhe ai ka një idhull, por për dallim nga të tjerët që ëndërrojnë Messin e Ronaldon. “Synoj të bëhem si Paul Pogba”, përfundoi Brahimi.

taekwondisti