Talenti kosovar mahniti klubin e madh turk

E ardhmja e futbollistit të ri nga Prishtina, Eris Thaqi duket e ndritur.

19-vjeçari, i cili deri sezonin e fundit luante për skuadrën e Ramiz Sadikut, ka mahnitur zyrtarët e skuadrës së famshme turke, Istanbulspor, në provat që ishte tek ky klub, shkruan Gazeta inFokus.

Thaqi që luan si mesfushor ka marrë vlerësime pozitive nga klubi turk, i cili tashmë ka shprehur interesimin që ta ketë atë si pjesë të skuadrës.

Megjithatë ai në një prononcim për Gazetën inFokus ka treguar se është në dyshime për të ardhmen.

“Provat në Istanbulspor shkuan shumë mirë, kalova 7 ditë të mrekullueshme në kampin e klubit ku edhe u provuam. Pas këtyre ditëve mora një lajm shumë të mirë nga kryetrajneri i ekipës së parë, që isha përzgjedhur të vazhdoj me Istanbulsporin, kështu që vitin e parë të luaj për moshat U-19, pasi lejohet të ketë dy lojtarë deri në 21 vjet dhe pas një sezoni të futem në ekipin e parë. Ofertën e kam në tavolinë, mbetet të shihet”, ka thënë ai.

Thaqi tregon se gjithashtu është në bisedime me njërin prej klubeve nga Superliga e Kosovës.

“Kam disa oferta nga klubet e Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës, ku njëri klub edhe njihet që zhvillon dhe transferon talente në Evropë. Mbetet të shihet se a do të jem në Kosovë apo jashtë”, thekson mesfushori i talentuar.

Aftësitë e Thaqit me topin, kanë bërë që shumë skuadra të kenë dëshirë që ta kenë pjesë të tyre.