Talenti i Prishtinës: Kemi punuar shumë dhe jemi duke punuar

Futbollistët e Prishtinës mund t’ia shohin hairin turneve në Gjermani.

Bardhekaltrit janë ftuar për të marrë pjesë në katër turne të futbollit në sallë, nga 5 deri më 8 janar 2017, në katër qytete të ndryshme gjermane, derisa kjo do të jetë një mundësi ideale për futbollistët e rinj, pasi në këto turne pritet të jenë të pranishëm dhjetëra skautë, që janë në kërkim të talentëve.

E prishtinasit në këto turne do t’i përfaqësojnë kryesisht futbollistë të rinj të ekipit të parë, së cilëve u janë shtuar edhe disa futbollistë juniorë.

Njëri prej talentëve më të mëdhenj të prishtinasve është Bleon Sekiraqa. 16-vjeçari thotë se do ta japë maksimumin nga vetja për ta ndihmuar ekipin e tij, por edhe për t’u treguar para menaxherëve të shumtë.

Talenti i Prishtinës: Do të mundohem t’ju bie në sy skautëve në Gjermani

“Po ndihem shumë mirë, besoj se do të kalojmë mirë në Gjermani. Edhe paraqitjet e mira nuk do të mungojnë sepse kemi punuar shumë dhe jemi duke punuar”, ka thënë fillimisht mesfushori ofanziv dhe sulmuesi i prishtinasve për “Zërin”.

“Sigurisht se më motivon edhe prania e menaxherëve të huaj për ta treguar veten. Do të mundohem të luaj edhe më mirë”, ka shtuar Sekiraqa, i cili është pjesë e kadetëve të Prishtinës.

Prishtina do të marrë pjesë në turnetë “Ur-Krostitzer-Masters 2017”, “Halplus-CUP”, “Sonnenland-Cup” dhe “Thuringer Hallenfusball-Masters 2017” – “Ur-kroftitzer-Cup”.

Image