Talenti Edon Zhegrova transferohet te Standard Liege

Edon Zhegrova është njëri prej talenteve të paktë kosovarë që iu dha një mundësi e artë. Futbollisti i Prishtinës e ka marrë rrugën drejt Belgjikës, ku do t’i bashkohet familjes së madhe të Standard Lieges. Belgët bënë çmos për 16-vjeçarin, të cilit ia mundësuan që të shkojë në Belgjikë bashkë me familjarë, të cilëve u sigurua edhe punësimi. Menaxheri, Luan Ahmetaj, ndihet shumë i kënaqur me këtë transferim

Për Edon Zhegrovën e enjtja ishte dita e fundit që luajti në futbollin kosovar. Talenti prishtinas, të premten (sot) e ka marrë rrugën drejt Belgjikës, ku do t’i bashkohet familjes së madhe të Standard Lieges.

16-vjeçari i ka impresionuar drejtuesit e gjigantit belg, të cilët bënë çmos për ta pasur në gjirin e tyre. Fillimisht, Edoni do të huazohet tek Saint Trond, nga liga e parë e Belgjikës, që është pjesë e familjes së Standardid, derisa të ambientohet në Belgjikë.

Zhegrova ndihet i emocionuar që iu dha kjo mundësi jetësore, të cilën e ka ndërmend ta shfrytëzojë me të gjitha forcat.

“Jam mjaft i emocionuar, sot ishte loja ime e fundit në Kosovë. Tash më presin aventura të reja. Do ta kem mundësinë të punoj në kushte më të mira dhe do të mundohem të jap gjithçka, për t’ua shpaguar besimin që ma kanë dhënë”, deklaroi fillimisht Zhegrova për “Zërin”. “Ëndërr imja është Barcelona”, vazhdoi talenti prishtinas, duke paralajmëruar angazhim të madh në klubin belg.

edoni

Edoni, talent i jashtëzakonshëm

Menaxheri, Luan Ahmetaj, i cili ia ka mundësuar Zhegrovës t’i bashkohet Standardit, e ka lavdëruar futbollistin kosovar, për të cilin thotë se ka talent të jashtëzakonshëm. Mirëpo, ai e këshillon lojtarin të punojë fort, nëse synon të arrijë diçka në karrierë.

“Edoni u ka pëlqyer në Belgjikë, i vogël, i majtë, i lezetshëm, me talent natyral. Standardi e ka parë dhe i ka pëlqyer, është talent i rrallë, i ka bazat. Mirëpo, kur të kalojë në ekipin e parë do ta shohim nëse është në realitet lojtar fantastik. Ai është në shkallën e parë, rruga është e gjatë”, thotë fillimisht Ahmetaj.

“Qëllimi është që të bëjë ushtrime të avancuara dhe me kushte më të mira, të cilat nuk i kishte në Kosovë. Kam ardhur me 2-3 klube në Kosovë, të gjithëve ju ka pëlqyer djali. “Futbolli është 1 për qind talent e 99 për qind punë. Është luftë, atje duhet punë, gjumë, bukë dhe shkollë, gjithçka me rregull. Është i ri, 15 vjeç, shpresoj që të ketë nafakë. Tash e ka topin në duart e veta”, vijoi Ahmetaj.

Në Belgjikë, bashkë me familje

Zëri shkruan se Edon Zhegrovës në Belgjikë nuk do t’i mungojë asgjë. Madje, ai mund të krahasohet me Messin dhe lojtarët tjerë që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilëve iu bashkohet edhe familja. Të njëjtën gjë e bëri edhe Standardi me këtë talent, pasi e ka ndërmend të investojë në të.

“Ky është fat, të cilin nuk e merr dy herë. Standardi po mundohet t’ia plotësojë të gjitha kushtet. Ka qenë e vështirë t’ia çonim atje edhe familjen. Është shpenzim i madh për një klub, me të gjitha të drejtat, pasi familja e Edonit ka pesë anëtarë. Babanë e ka në punë atje dhe, edhe nënës së tij do t’i gjendet një vend pune. S’do t’ju mungojë asgjë”, përfundoi Ahmetaj, i cili e përmendi edhe partnerin e tij, Xhevat Abazi, me të cilin ia mundësuan Edonit të shkojë në Belgjikë. Fatkeqësisht, mundësitë që iu dhanë Edonit nuk e kanë talentet tjerë kosovarë, të cilët “shuhen” në futbollin e izoluar të Kosovës.

Fakt

FC Prishtina tashmë ka ndërtuar raporte të mira edhe me Standard Liege. Gjithçka kishte nisur me një takim të presidentëve të dy klubeve, Remzi Ejupi dhe Roland Duchatelet. Ky i fundit pastaj i kishte dërguar skautët në Prishtinë dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.