Tahir Batatina dhe Llapi me iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve kundër Ademit

Tahir Batatina dhe klubi i tij, Llapi, kanë marrë iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Agim Ademit.

Klubi llapjan, pas pakënaqësive të shfaqura publikisht, ka filluar të veprojë konkretisht në mbledhjen e nënshkrimeve në tentim për ta larguar nga kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin.

Drejtori sportiv i Llapit, Batatina, thotë se FFK’së i nevojitet një menaxhment i ri.

“Duhet të ndryshojmë në menaxhim, sepse ka nevojë futbolli i Kosovës dhe e ardhmja e rinisë tonë, por duke punuar sinqertë dhe më të devotshëm para atyre që financojnë për futbollin. Ne jemi që t’i ruajmë vlerat dhe të arritura që ia solli futbollit legjenda Fadil Vokrri dhe jemi në mbështetje të fuqishme për Gramoz Vokrrin, pasi futbollit të Koovës i duhen njerëz të përgatitur profesionalisht dhe të sinqertë që dhanë për futbollin dhe jo që marrin nga futbolli”, u shpreh Batatina për Gazeta Olle.

“Prandaj ndihem mirë që Gramozi ka mbështetjen e të gjithë adhuruesve të futbollit në Kosovë dhe pikërisht të atyre që kontribuojnë në futboll. Kjo ka rëndësi, ne duhet të mendojmë për të ardhmen e futbollit dhe duhet ta trasojmë rrugën e arkitetit të legjendës Fadil Vokrri”, shtoi drejtori llapjan.

Gjithsesi, janë dy klube që veçse janë deklaruar publisht kundër këtij peticioni. Klubi i Dritës përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit ka shprehur mbështetje për punën e FFK’së, sikurse edhe KEK’u.

Kreu i klubit nga Kastrioti, Besnik Mjeku, për Olle ka deklaruar se janë shumë të kënaqur me punën e FFK’së. “Sa i përket federatës, është gjithçka në rregull për mua”, u shpreh Mjeku.

“Sipas meje, federata s’ka qenë më e mirë se tani. I përgëzojë për punën që po bëjnë”, përfundoi Mjeku.

Në anën tjetër, gjilanasit e Dritës njoftuan se nuk janë pjesë e asnjë grupacioni dhe se për ta interes për momentin ka vetëm avancimi i futbollit kosovar dhe ngritja e klubit të tyre.