Sytë kah Vjena

Të hënën në Vjenë do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, kurse të martën, po në kryeqytetin austriak, do t’i zhvillojë punimet kongresi i shtëpisë së futbollit evropian.

Sipas një njoftimi të UEFA-s, Komiteti Ekzekutiv i saj do të diskutojë kryesisht për Kampionatin Evropian, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në Francë. Po ashtu, ky organ i UEFA-s, do të diskutojë edhe rreth eliminatoreve evropiane për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Me këtë rast, pritet që Komiteti Ekzekutiv ta shqyrtojë edhe mundësinë e lejimit të Kosovës për pjesëmarrje në eliminatoret për “Rusia 2018”. Një gjë të tillë po e pret me optimizëm edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), krerët e së cilës para pak ditësh e takuan Michel Platinin, pas një vizite që ia bëri Prishtinës një zyrtarë i lartë i UEFA-s.

“Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv presim që UEFA të diskutojë edhe për Kosovën. Nuk presim që të merret ndonjë vendim, pasi që vendimet kërkojnë më shumë kohë, por që padyshim do të shqyrtohet kërkesa e jonë. Prezent aty do të jetë edhe kryetari i Federatës Gjermane të Futbollit, i cili na ka premtuar se do ta shtyj përpara çështjen e Kosovës në UEFA, si dhe më pas do të na informojë për të gjitha detajet e takimit më pas”, tha për “Zërin” zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në UEFA mund të ndodhë më vonë. Por, qëllimi kryesor aktualisht mbetet përfshirja e Kosovës në eliminatoret për Botërorin “Rusia 2018”.

“Sa i përket sigurimit të një vendi në eliminatoret e Botërorit 2018, ne do të kërkojmë që të na lihet një vend i zbrazët në njërën prej grupeve, në mënyrë që në momentin që Kosova të pranohet, të futet direkt në kualifikime”, theksoi ai.

“Kjo ka ndodhur edhe më herët, nuk është hera e parë që do t’i ndodhte Kosovës, andaj besojmë se një mundësi e tillë është e realizueshme. Sidoqoftë, ne besojmë dhe shpresojmë që do të jemi pjesë e kualifikimeve për Botërorin 2018”, përfundoi ai.