Sulmuesi i Shkëndijës kalon te Partizani

Partizani është shumë pranë zyrtarizimit të operacionit të dimrit, por drejtuesit kanë vendosur që piketat e tyre t’i zbardhin pas 4 takimeve të mbetura deri në fund të vitit, 3 për kampionat dhe 1 në Kupë.

Ndonëse drejtuesit e kuq janë hermetikë, jo gjithçka mbetet e tillë. Rrjedhja e informacionit vjen në mënyra të larmishme.

Kësaj here ka menduar një media maqedonase, “Ekipa.mk”, për të publikuar një nga emrat që synon Partizani në merkato. Bëhet fjalë për sulmuesin e Shkëndijës së Tetovës dhe kombëtares së Maqedonisë, Besart Abdurahimi.

Referuar shkrimit, thuhet se Partizani, pas afrimit të brazilianit të  Pelisterit, Lukas Kardozo, ka blerë edhe kartonin e sulmuesit të Shkëndijës, Besart Abdurahimi, i cili sapo ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në Maqedoni.

Abdurahimi

Madje në këtë lajm thuhet se për 27- vjeçarin e kuqezinjve të Tetovës ka qenë i interesuar edhe Flamurtari i Vlorës. Por, duke parë që dje vlonjatët kanë zyrtarizuar afrimin e sulmuesit serb, Igor Nedeljkoviç, i bie që Partizani e ka fituar betejën me skuadrën e Shpëtim Duros për afrimin e Adurahimit, i cili nuk gjeti hapësirën e duhur te Shkëndija në fazën e parë.

Një tjetër fakt që e bën të besueshëm këtë afrim të sulmuesit të krahut të djathtë te “demat” ka të bëjë me prezencën e Abdurahimit në Tiranë, i shoqëruar nga familjarët e tij.

Abdurahimi Maqedoni

Burime të ndryshme bëjnë me dije se sulmuesi, përveç pushimit, ka ardhur për të parë kushtet dhe, më pas, për të biseduar më konkretisht me drejtuesit e kuq.

Abdurahimi është shqiptar nga Maqedonia, por që ka lindur në Kroaci, ku është aktivizuar me të gjitha kombëtaret e moshave. Në 2014- ën u përfol edhe për një afrim të tij te kombëtarja shqiptare, por Maqedonia u tregua më e shpejtë.

Ai ka një karrierë të pasur, pasi ka luajtur në disa klube të ndryshme, ku spikasin NK Zagreb, Hapoel Tel Aviv, Lokeren, Astana, Osaka dhe Shkëndija.

Besart-Abdurahimi-Shkendija-1024x682