Sulmuesi i njohur kosovar: Jam i lirë, s’kam asnjë ofertë nga klubet

Afati i janarit ka përfunduar dhe Egzon Gashi vazhdon të jetë lojtar i lirë. Ai për gazetën ka bërë me dije se arsyeja e mosangazhimit në ndonjë klub është fakti se ai nuk u vetofrohet klubeve.

Sulmuesi i njohur Egzon Gashi,  i cili ka fituar të gjithë titujt në futbollin e Kosovës me Besën e Pejës dhe Feronikelin nga Drenasi, vazhdon të jetë lojtar i lirë. Ai ende nuk është paraqitur në asnjë klub në këtë kampionat, kurse për “Epokën e re” e ka zbuluar arsyen që është pa skuadër.

“Ende jam lojtar i lirë, pasi nuk më ka kontaktuar asnjë skuadër, në të njëjtën kohë nuk i jam vetofruar asnjë klubi. Personaliteti im nuk lejon që t’u imponohem të tjerëve. Kjo është arsyeja pse nuk jam angazhuar në këtë kampionat”, ka thënë Gashi, i cili ka luajtur me sukses edhe për skuadrën e Vëllaznimit nga Gjakova.

Sulmuesi pejan që ka cilësi të mëdha në futboll ka mbetur i befasuar me klubet ku ka qenë pjesë, sepse asnjëherë nuk është respektuar për djersën dhe kontributin e madh që ka dhënë sa ishte pjesë e tyre.

“Disa klube ku kam dhënë kontribut të madh nuk janë treguar korrekte ndaj meje, por edhe disa personave që iu kam gjendur në kohët më të vështira nuk po u bie ndërmend për mua. Thjesht, nuk jam person që e luti ndonjë kryesi të klubit”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a ka menduar të largohet nga futbolli aktiv, sikurse që kanë bërë edhe lojtarë të tjerë që ishin të dëshmuar në futbollin e Kosovës, Gashi është përgjigjur: “Jam ende i ri që të largohem nga futbolli. Besoj se shumë shpejt do të aktivizohem në ndonjë klub për faktin se kam ende shumë për t’i dhënë ofutbollit. Vazhdimisht jam stërvitur individualisht dhe forma ime është e mirë, ani pse përgatitja individuale dallon me përgatitjen në grup”.

Egzon Gashi nuk e ka përjashtuar një rikthim të mundshëm në skuadrën e Besës, në të cilin edhe bëri emër në futbollin e Kosovës. “Jam i hapur për të gjitha klubet në Kosovë, përfshirë edhe Besën. Do të pranoj cilëndo ofertë serioze që më vjen”, ka deklaruar Gashi, i cili ka luajtur edhe për skuadrën e Istogut.