Streetball Kosova vjen si asnjëherë më parë

Në prag të edicionit të 17-të të Streetball Kosova, Shoqata e Streetballit në Kosovë, në vikendin e 25 dhe 26 qershorit, do të organizojë për herë të parë në Kosovë, turneun ndërkombëtar “Streetball Kosova International 2016″.

Turneu i parë ndërkombëtar, i njohur nga FIBA 3×3 Basketball, që nga pranimi i Shoqatës së Streetballit të Kosovës në këtë institucion të FIBA-së, më 12 shkurt 2013, do të zhvillohet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Drejtuesit e Shoqatës së Streetballit të Kosovës, në një konferencë për media në Swiss Diamond Hotel, kanë zbuluar detajet lidhur me turneun e parë ndërkombëtar të Streetballit, në Kosovë.

Turneu i parë ndërkombëtar, do të zhvillohet më 25 dhe 26 qershor, në ambientet e Pishinës së Gërmisë në Prishtinë, duke nisur nga ora 15:00.

Në edicionin e parë, do të marrin pjesë 8 skuadra: 4 ekipe mysafire nga Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia dhe 4 skuadrat finaliste të Superfinales së “Limak Streetball Kosova 2015″,

Kampionët nga Mitrovica, Vision Grup, dhe skuadrat Air Force One, Che Bar Kosova dhe NATO.

Për shkak se është edicioni i veçantë, edhe shpërblimet janë të veçanta. Shoqata e Streetballit për fituesin e turneut ndërkombëtar, ka paraparë çmimin prej 4000 eurove dhe për finalistin 1000 euro.

Kryetari i Shoqatës Streetball Kosova, Agon Fehmiu, për gazetarët ka thënë se ky projekt ka qenë i paraparë shumë kohë më parë, derisa po jetësohet më shpejt se ç’është planifikuar.

“Shoqata e Streetballit të Kosovës, sivjet e organizon këtë garë si pilot projekt dhe provë gjenerale para edicionit të vitit të ardhshëm, ku FIBA e ka nderuar Shoqatën e Streetballit të Kosovës duke i ofruar që të jetë organizatore e nivelit Challenger të garave, nivel ky i treti për nga rëndësia në botë, pas Masters dhe World Tour Finals, në mesin e shtatë niveleve të garave ekipore në planet. Duhet të theksojë se, aktualisht, në tërë Evropën janë vetëm 7 Challengera dhe nga viti i ardhshëm, Streetball Kosova Challenger do të jetë i teti.

Ky ka qenë synimi ynë, tash e tri vite dhe ne kemi shpresuar se ky objektiv i yni, do të përmbushet diku në vitin 2019 apo 2020, mirëpo puna dhe organizimet e Streetball Kosova, si në planin vendor të organizimit të garave, ashtu edhe në prezantimin e suksesshëm dhe përshtypja e shkëlqyeshme që ka lënë Kosova në Bukuresht Challenger, gjatë dy viteve të fundit, ka bërë që Streetball Kosova të nderohet nga FIBA 3×3 Basketball, me ftesën për të organizuar Challengerin në vitin 2017″, ka thënë Fehmiu.

Ndërkohë, sekretari i Shoqatës së Streetballit, Agim Musliu tregoi detajet rreth ecurisë së garave, që do të zhvillohen gjatë vikendit.

“E shtuna do të jetë ditë e garave në grupe, ku 8 skuadra do të jenë të ndara në dy grupe nga katër dhe do të ndeshen secila me secilën. Në fund, dy vendet e para nga grupi A dhe B, do të kualifikohen për gjysmëfinale.

Të dielën, do të kemi dy ndeshje gjysmëfinale, pastaj garat në ngulitjen më të bukur dhe gjuajtje për tri pikë, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit nga ekipet pjesëmarrëse, dhe në fund do ta kemi ndeshjen finale, e cila edhe do të na jep kampionin e edicionit të parë të Streetball Kosova International 2016″, tha Musliu.

Kampioni do të fitojë të drejtën e kualifikimit në garën Challenger, në Lipik të Kroacisë ose qytetit Sibiu në Rumani, varësisht nga përcaktimi i FIBA 3×3 Basketboll, se ku do të luajë kampioni i Streetball Kosova International 2016.
Tetë ekipet pjesëmarrëse

1.Vision Group (Kosova)
2. Istanbul (Turqia)
3. Nord Gym (Bullgaria)
4. Goelden Eagle Albania (Shqipëria)
5. Shkupi (Maqedonia)
6. Air Force One (Kosova)
7. NATO (Kosova)
8. Che Bar (Kosova)

loading...