Stadiumi i Feronikelit me probleme të mëdha pronësore, ja pse nuk po fillojnë punimet milionëshe

Stadiumi i Feronikelit “Rexhep Rexhepi” në Drenas, është në mesin e arenave të futbollit që nuk i plotësojnë kushtet që kërkohen për t’u luajtur një ndeshje futbolli e nivelit ndërkombëtar.

Përveç fushës, që deri diku është në gjendje të kënaqshme për futbollin e Kosovës, gjërat e tjera janë në nivelin më të ulët të mundshëm dhe nuk i plotësojnë kushtet që kërkohen.

Por, përveç mungesës së kushteve një problem i madh është se toka ku është ndërtuar stadiumi, është në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si dhe një pjesë është pronë private.

stadiumi feronikeli

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar për Sportin në KTV se 300 mijë eurot e parapara të investohen këtë vit janë bllokuar derisa të rregullohen problemet e shfaqura.

Lladrovci, që beson fuqishëm se Feronikeli do të dalë në fund kampion, është i vendosur që pa e shpronësuar pronën të mos ketë investime të reja.

stadiumi feronikeli

Ai tregoi edhe për një problem tjetër, i cili duhet të ndryshohet shumë shpejt.

Deri më tani, vetëm tribuna kryesore është e ndërtuar dhe së fundmi ka filluar të mbulohet, kurse pjesa lindore dhe jugore e tribunave, pritet që në një të ardhme të afërt të ndërtohen.

prishtina feronikeli

Gjendjen aspak të mirë në stadiumin e “Niklit” e ka pohuar edhe kryetari i klubit të Feronikelit, Ekrem Elshani, i cili thotë se kanë qenë në dijeni si klub që toka është në pronësi të AKP-së, por sipas tij, ekziston një memorandum ndërmjet Komunës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ai u shpreh se shumë shpejt do të nisë faza e dytë e punimeve, e cila, sipas tij, është vonuar nga Komuna e Drenasit.

feroo 1

Deri më tani, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, janë investuar rreth 1 milion euro.

Ndërkaq, në bazë të një memorandumi të nënshkruar nga Ministria e Sportit dhe Komuna e Drenasit më 28 tetor 2016, shuma totale e investimeve që do të ndodhë në “Rexhep Rexhepi” brenda tri vjetëve kap shifrën e 1 milion 900 mijë eurove. 1 e 600 mijë nga Ministria e Sportit, kurse 300 mijë investime të Komunës së Drenasit.

feronikeli