Sporti kosovar në zi : Vdes duke fluturuar parashutisti kosovar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Prizren, ku gjatë fluturimit me parashutë një person ka mbetur i vdekur, gjersa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda.

Lajmin për Reporterin e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Osmanollaj ka thënë se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 13:00, kur ishin duke ushtruar një grup që bëjnë fluturime me parashutë.

“Rreth orës 13:00, policia është njoftuar për një incident që ka ndodhur në Prizren, në zonën ku bëhen fluturimet me parashutë, ku ka qenë duke ushtruar grupi që bën fluturime. Dy persona kanë qenë duke fluturuar dhe njëri prej tyre është rrëzuar, çka ka shkaktuar vdekjen e tij. Nga informatat e para, një 45 vjeçar ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një person është lënduar”, ka thënë Osmanollaj për Reporterin.

Ai ka konfirmuar se personi tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe për momentin është duke u mjekuar.

“Personi tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe është duke u trajtuar nga mjekët në spitalin e Prizrenit”, ka thënë Osmanollaj.