Sporti gjilanas në zi: Ndërron jetë ikona e njohur e këtij qyteti

Ka ndërruar jetë ikona e sportit gjilanas, Maksut Maloku, i njohur si ‘Maxi’.

Në rastin e vdekjes së tij, kanë shkruajtur edhe zyrtarët komunal të Gjilanit, të cilët kanë shprehur ngushllimet e tyre për familjen e të ndjerit dhe komunitetin sportiv, përcjellë Gazeta OLLE.

“Me dhimbje të thellë e mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të ikonës së boksit dhe sportit në Komunën e Gjilanit, Maksut Maloku, apo i njohur ndryshe si Maxi.

Maksuti ishte shembull dhe frymëzim për gjeneratat e reja. Sukseset e shumta dhe puna e palodhshme e kanë karakterizuar dhe e kanë veçuar gjithë karrierën e tij sportive.

Sot, po i themi lamtumirë një tjetër ikone të sportit gjilanas, i cili ka lënë shumë bagazh prapa vetës. Përmes kësaj shkrese i shprehim ngushëllime familjes Maloku, gjithë komunitetit sportiv dhe shokëve të tij”, ka shkruar Malazog Hoxha, zyrtar për Sport në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Maksut Maloku ka qenë një ndër boksierët e dalluar të Klubit të dikurshëm të boksit nga Gjilani KB Partizani, që më vonë kishte marrë emrin KB Drita, kur në këtë klub dalloheshin Agim Latifi, kampion i shumëfishtë, fitues ballkanik e i Lojërave Mesdhetare, Ismet Haziri, Mexhit Ramadani, Nezir Hyseni, Musli Zymberi, Jonuz Pajaziti, Afrim Halimi, Maksut, Nazim Halili, Subahat Xhemajli, Gani Berisha, Shemsi Kurtalani e shumë emra të shquar kanë lënë gjurmë në sportin bujar.