Spektakël në Pejë, pa befasi në Rahoveci – Kerasan Prishtina

Një ndeshje fantastike u zhvillua mes Boreas dhe Trepçës në Pejë. Skuadër më e mirë në pjesën e parë ishte Trepça, mirëpo pejanët u rikthyen në lojë në pjesën e dytë dhe dalëngadalë e ngushtuan rezultatin. 

Epërsia e mysafirëve filloi të ngushtohej edhe më shumë në çerekun e katërt, ndërsa dy shënime nga Hajzeri e Matoshi e barazuan ndeshjen në 70-70, 53 sekonda para fundit.

Në sekondat e mbetura, Zekiqi dështoi të shënonte për fitoren e mitrovicasve, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Carter, gjuajtja e të cilit  ishte gjithashtu e pasaktë dhe skuadrat u detyruan të shkonin në ‘overtime’.

Në 5 minutëshin e shtesës, më të përqëndruar u treguan vendasit, të cilët shënuan 9 pikë, 3 më shumë se kundërshtari dhe takimin e mbyllën me fitore 79-

Fillimisht shënimet e Blendi Matoshit e më pas edhe saktësia në gjuajtje të lira nga Hajzeri e Idrizaj bënë që fitorja në fund t’iu takonte pejanëve, ndërsa te mitrovicasit ranë në sy dy gjuajtjet e lira të humbura nga Samir Zekiqi, duart e të cilit ‘u dridhën’ në momentet më kritike të ndeshjes.

Më të dalluarit te vendasit sonte ishin Blendi Matoshi me 19 pikë, 16 kërcime e 5 asistime dhe Sami Hajzeri me 16 pikë, 6 kërcime e 5 asistime, derisa te mitrovicasit sonte u veçuan Samir Zekiqi me 19 pikë, 6 kërcime e 8 asistime dhe Jordan Reed me 18 pikë, 17 kërcime e 3 asistime.

Kjo fitore bën që bilanci i Boreas të jetë 5-14, derisa Trepça bën një hap prapa në luftën për Play-Off.

Fiton Rahoveci

Pa ndonjë befasi, skuadra e Rahovecit ka shënuar fitore në takimin e luajtur ndaj Kerasan Prishtinës.

‘Vreshtarët’ ishin më të mirë që nga çereku i parë, duke krijuar epërsi të hershme, të cilën e ruajtën deri në fund dhe takimi u mbyll me shifrat 89-67.

Më të dalluarit te Rahoveci sonte ishin Junious Powrell me 25 pikë, 3 kërcime e 8 asistime dhe Arian Qallaku me 18 pikë, 3 kërcime e 6 asistime, derisa te Kerasani u veçuan Kreshnik Muçolli me 16 pikë, 1 kërcim e 1 asistim dhe Rinor Ahmeti me 13 pikë, 3 kërcime e 2 asistime.

Kjo fitore bën që bilanci i Rahovecit tashmë të jetë 11-8, derisa Kerasani momentalisht ka 4-15. /Borozani