SPECIALE nga Gazeta OLLE: Ua sjellim “Top-8” logot më të shëmtuara të futbollit kosovar

Kur jemi 20 vjet pas luftës, futbolli kosovar ka përparuar në disa gjëra por edhe ka ngecur në shumë të tjera.

Shumica e klubeve s’kanë mjete financiare, disa s’kanë stadiume të mirëfillta e disa të tjera drejtohen nga njerëz që s’kanë lidhje me futbollin.

Mirëpo ne kësaj radhe do të ndalemi të një detaj ndoshta vogël por shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për logot e klubeve tona, të cilat nuk i përfaqësojnë shumicën prej skuadrave në mënyrën e duhur.

Gazeta Olle ka analizuar thellësisht logot e klubeve të futbollit vendor si në aspektin e përmbajtjes ashtu edhe në atë të dizajnit, ku shihet se shumica e tyre janë punuar në mënyrë totalisht amatore.

Përpos “Top-8” logove që i identifikojnë më së miri klubet tona, redaksia ka zgjedhur edhe “Top-8” logot më të shëmtuara të futbollit kosovar.

– TREPÇA ’89

Një kopje e keqe e logos së klubit Trepça, që vjen nga i njëjti qytet.

Simboli krejt i njëjtë, ku dallimi i vetëm është se emri i 89-shit është i vendosur lart, ndërsa i Trepçës poshtë.

Një klub duhet të ketë logo që e identifikon atë e jo të kopjojë nga një skuadër tjetër, për më tepër vendore.

– LIRIA

Logo me shumë detaje, që nuk harmonizohen siç duhet me njëra tjetrën.

Simboli i Lidhjes së Prizrenit dhe pëllumbi që simbolizon lirinë, nuk janë të ndërthurura aspak mirë.

Shumë ngjyra, plot pesë, e bëjnë këtë logo të shëmtuar.

– BESA

Kjo është pa diskutim ndër logot më të shëmtuara të futbollit kosovar.

Dy duart duke u shtrënguar janë shkëputur nga një fotografi reale dhe janë vendosur në mes të logos, totalisht jo-profesionale në botën e dizajnit të logove.

E punuar në mënyrë shumë amatore, kjo logo e prezanton keq një klub me nam siç është Besa.

– FERIZAJ

Po flasim për një ndër logot më të zbehta që kemi parë në futbollin tonë.

Ferizaj, edhe pse qytet i ri, është ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe është përfaqësuar mjaftueshëm me klubin e futbollit, e i cili përfaqësohet nga një logo shumë e thjeshtë dhe e zbehtë.

Një top futbolli, emri i klubit dhe viti i themelimit. Identifikimi i Ferizajt zero.

– DRENASI

I vjen radha logos më të shëmtuar në Kosovë dhe jo vetëm.

Në mes të logos është vendosur parku i Drenasit, ku shihen disa kalimtarë rasti dhe banesa përreth.

Mbi të, një shqiponjë që nuk përshtatet aspak me logon. Turp t’i themi logo.

– ISTOGU

Ku është trofta? Istogu ka një logo që nuk prezanton asgjë prej gjëje.

Një konturë e thjeshtë, me një top në mes e me emrin e klubit mbi të.

Realisht Istogu do të përfaqësohej shumë më mirë me një logo që do të kishte simbol peshkun troftë, me të cilin Istogu njihet në mbarë Kosovën.

– RAMIZ SADIKU

I themeluar nga Kombinati Ndërtimor Industrial, Ramiz Sadiku është klub që i ka mbijetuar kohës dhe ka prodhuar mjaftë talentë, por që identifikohet me një logo të pahijshme.

Ajo nuk ndërlidhet aspak me emrin e klubit apo me veprimtarinë e ndërmarrjes Ramiz Sadiku.

– VITIA

Një logo që i ngjanë më shumë një vizatimi fëmijësh se një logo e një klubi futbollistik.

Nga një logo e shëmtuar, gjelbër e bardh, Vitia ka kaluar në një logo tjetër të shëmtuar, bardh e kaltër.

Nuk prezanton asgjë. E zbehtë. Pa kuptim. Duhet ndryshuar. Përsëri!

Përtej shijes, e cila është relevante, ritheksojmë që “Top-8” logot e mësipërme janë përzgjedhur nga Gazeta Olle në aspektin e përmbajtjes, identifikimit të klubit përkatës dhe dizajnit.

Në këtë përzgjedhje nuk është marrë parasysh Liga e Dytë, ku ka “magji” të ndryshme të botës së dizajnit.

Derisa në Evropë shumë klube i rimodelojnë logot e tyre, në Kosovës kemi parë shumë pak skuadra që e kanë bërë një gjë të tillë, ani pse kanë nevojë jetike për të.

Pos “Top-8” logove më të shëmtuara, gazeta ka përzgjedhur edhe “Top-8” logot më identifikuese të futbollit tonë, të cilat mund t’i shihni duke klikuar këtu. /Gazeta Olle/