SPECIALE nga Gazeta OLLE: Ua sjellim “Top-8” logot më identifikuese të futbollit kosovar

Kur jemi 20 vjet pas luftës, futbolli kosovar ka përparuar në disa gjëra por edhe ka ngecur në shumë të tjera.

Shumica e klubeve s’kanë mjete financiare, disa s’kanë stadiume të mirëfillta e disa të tjera drejtohen nga njerëz që s’kanë lidhje me futbollin.

Mirëpo ne kësaj radhe do të ndalemi te një detaj ndoshta vogël por shumë i rëndësishëm. Bëhet fjalë për logot e klubeve tona, të cilat nuk i përfaqësojnë shumicën prej skuadrave në mënyrën e duhur.

Gazeta Olle ka analizuar thellësisht logot e klubeve të futbollit vendor si në aspektin e përmbajtjes ashtu edhe në atë të dizajnit, ku shihet se shumica e tyre janë punuar në mënyrë totalisht amatore.

Megjithatë, ne kemi zgjedhur “Top-8” logot që i identifikojnë më së miri klubet tona.

– PRISHTINA

Logo që e identifikon shumë mirë klubin e kryeqytetit. Lulëkuqja, lule simbol e Rrafshit të Kosovës, që ndërthuret shumë mirë me ngjyrat e skuadrës.

Punimi është profesional, i denjë për emblemën e klubit më të trofeshëm të futbollit kosovar.

Ashtu si për të gjitha logot e klubeve të vjetra (Vëllaznimi, Trepça, Liria), as autori i logos së Prishtinës nuk dihet kush ka qenë.

– TREPÇA

Logo që identifikohet me simbolin e qytetit të Mitrovicës, Minierën e Trepçës.

Ajo është shumë mirë e optimalizuar për logo sportive, me topin e futbollit në mes dhe me ngjyrat po ashtu të Minierës.

Emblemë e futbollit kosovar në vitet e hershme, që mbetet në mesin e “top-4” klubeve më të mëdha në vend.

– KEK-u

Një logo gjithëpërfshirëse. Topi i futbollit i realizuar në mënyrë shumë të bukur, mbi të cilin vjen emri i klubit dhe një rrufe, që simbolizon energjinë.

Kombinimi i ngjyrave është shumë i mirë, duke e bërë atë ndër logot më tërheqëse.

– VUSHTRRIA

Logoja vushtrriase futet në mesin e më të mirave për faktin se ka Urën e Vjetër të Gurit, një ndër monumentet më të vjetra të Vushtrrisë.

Ky është një simbol që e identifikon në mënyrë shumë të mirë një ndër vendbanimet më të vjetra në Kosovë.

Ura e Gurit është pjesë edhe e logos së tifo-grupit vushtrrias, Forca.

– FUSHË KOSOVA

Fushë Kosova ka një ndër stacionet më të mëdha të trenit në Kosovë. Lokomotiva është simbol i saj.

Kjo logo e identifikon në mënyrën më të mirë të mundshme klubin nga kjo qytezë.

Ngjyra dhe dizajni meritojnë komplimente të veçanta.

– DUKAGJINI

Një logo origjinale, pjesa e epërme e së cilës përbëhet nga gurët, që identifikon në mënyrë fantastike kullat tipike të Rrafshit të Dukagjinit.

Edhe elementet në pjesën e poshtme janë të renditura mirë dhe i japin logos një pamje të pastër.

– RAHOVECI

Një logo e thjeshtë që ka vend për përmirësim, por që e identifikon në mënyrën më brilante të mundshme Rahovecin.

Qyteza nga Rrafshi i Dukagjinit njihet në Kosovë për vreshtat e pafundme të rrushit.

Përfshirja e kalaveshit të rrushit e futë këtë logo në mesin e më të mirave, ani pse ndërthurja e ngjyrave mund të përmirësohet.

– BEHARI

Një ndër logot që e identifikojnë më së miri një klub dhe që e prezantojnë në mënyrën më të mirë atë.

Behari është klub i Ligës së Dytë nga fshati Vitomiricë, i përbërë me shumicë boshnjake.

Në mes të logos është simboli identifikues i boshnjakëve, i cili është vendosur në hartën e Kosovës, e që “mbështjellët” me një top futbolli.

Kjo logo përtej futbollit tregon më së miri që ky komunitet është i integruar shumë mirë në shoqërinë kosovare.

Përtej shijes, e cila është relevante, ritheksojmë që “Top-8” logot e mësipërme të përzgjedhura nga Gazeta Olle si më identifikueset të futbollit vendor, janë bërë në aspektin e përmbajtjes dhe dizajnit të tyre.

Derisa në Evropë shumë klube i rimodelojnë logot e tyre, në Kosovës kemi parë shumë pak skuadra që e kanë bërë një gjë të tillë, ani pse kanë nevojë jetike për të.

Gazeta përpos “Top-8” logove më të mira, ka zgjedhur edhe “Top-8” logot më të shëmtuara, të cilat do të publikohen nesër. /Gazeta Olle/