Sot kreu testet mjekësore tek Napoli, por Amir Rrahmani dikur nuk i kishte kaluar provat tek skuadra e Superligës!

Amir Rrahmani pritet të prezantohet sot si futbollist i ri i gjigantit evropian, Napoli.

Kapiteni i Kosovës është duke kaluar testet mjekësore dhe më pas do të prezantohet si përforcim i skuadrës së Gennaro Gatussos.

Por, karriera e tij nuk ishte pa sfida të shumta.

Në vitin 2011, Rrahmani nuk kishte arritur të kalojë provat tek klubi më i madh në vend, Prishtina, shkruan Gazeta Olle.

Por, si ndodhi e gjithë kjo?

Në kohën kur trajner i klubit ishte emëruar, gjermani Wolfgang Jerat, ai kishte mbledhur talentët e shumtë të klubeve të Kosovës, me të cilët kishte mbajtur grumbullime disa ditore.

Pjesë e atyre grumbullimeve ishte edhe Rrahmani, që zyrtarisht ishte pjesë e Ramiz Sadikut, por që kërkonte të bënte hapin e madh, për të fituar zemrën e gjermanit që erdhi me shumë bujë tek Prishtina.

Pas disa ditësh, Rrahmani nuk ishte në listën e Jeratit.

Karriera e shtatlartit prishtinas nuk u ndalë.

Ai nga Ramiz Sadiku u transferua tek Drenica në Superligë.

Aty Amiri ishte ndër më të dalluarit, për t’u transferuar më pas tek Partizani i Shqipërisë, në vitin 2013-2015.

Në 2015-tin u transferuar tek Spliti ku luajti një vit, për të bërë një tjetër përparim.

Nënshkroi me Dinamon e Zagrebit, klubin më të madh në Kroaci, prej nga u huazua tek Lokomotiva, për t’u kthyer sërish tek dinamovitët.

Në verën e vitit të kaluar, ai vuri të zezën në kontratën e Veronës së Serie A.

Vetëm gjashtë muaj i mjaftuan për të bërë përparimin më të madh, kalimin tek Napoli, ku zyrtarizimi pritet të bëhet brenda orëve.