Sot mund të vendoset titulli

Sot me fillim nga ora 16:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Penti Prishtina është nikoqire e Penzës nga Peja në ndeshjen e dytë finale të play-off-it të Ligës së Femrave.

Penza ka triumfuar në ndeshjen e parë të luajtur në Pejë në fundjavën që e lamë pas, me rezultat 72:67 dhe tani e ndan vetëm një fitore nga titulli i kampionit. Në rast se pejanet shënojnë fitore të mërkurën atëherë do të shpallen kampione për edicionin 2016/17, në të kundërtën duhet të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje në fundjavë në Pejë në mënyrë që më në fund të zgjidhet dilema e kampionit në elitën e basketbollit femëror në vendin tonë.

Duhet theksuar se Penti Prishtina është kampione në fuqi e Kosovës, derisa në këtë edicion basketbollistet bardhekaltra e kanë fituar trofeun e Kupës së Kosovës duke e mposhtur në finale pikërisht Penzën. Kjo e fundit është skuadra e dytë më e trofeshme në vendin tonë, pas Prishtinës.

Duke u nisur nga rivaliteti që është duke mbretëruar në disa vitet e fundit në mes këtyre dy ekipeve, atëherë pritet që nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë të kemi një tjetër ndeshje të fortë dhe basketboll cilësor.

loading...