Sonte Skënderbeu-Sportingu i Lisbonës

Skënderbeu është skuadra që ka dominuar futbollin shqiptar në pesë vitet e fundit. Megjithatë, në pjesëmarrjen e parë në një eveniment madhor, siç është faza e grupeve të Europa League, korçarët kanë treguar se për të konkurruar në nivel europian nevojitet që të vazhdojë të rritet. Korçarët i pret sfida e katërt në Grupin H, pasi i kanë humbur tre përballjet e mëparshme.

Në Elbasan Arena zbarkon Sportingu i Lisbonës, që vetëm dy javë më parë i shkaktoi bardhekuqve humbjen 5-1, më e thella në pjesëmarrjet e skuadrës në kupat e Europës. Më parë Skënderbeu ishte mposhtur 0-1 në shtëpi nga Besiktas-t, ndërsa u dorëzua 2-0 edhe në Moskë përballë Lokomotivës.

Josa beson se ekipi ka nxjerrë mësimet e duhura nga disfata e thellë në Jose Alvalade dhe do të marrë masat e duhura për të synuar rezultat pozitiv.

Në fakt, kur janë luajtur gjysma e ndeshjeve në fazën e grupeve në Europa League, mund të thuhet se periudha e ambientimit ka përfunduar. Europa League mbetet vitrina e talentëve të rinj të Skënderbeut, por tani të gjithë presin pikën e parë europiane.

Handikap për korçarët është mungesa e Hamdi Salihit, i skualifikuar prej kartonit të kuq të marrë në Portugali. Për një lojtar të rëndësishëm që nuk është i disponueshëm, trajneri Mirel Josa gjen një tjetër që kthehet në ekip. Bëhet fjalë për Peter Olayinka, me sulmuesin që nuk luajti në sfidën e parë ndaj Sportingut, për faktin se nuk u pajis me vizë. Pesha e manovrave ofensive të korçarëve do të bjerë pikërisht te nigeriani 19-vjeçar.