Sonte finalja e kupës së Italisë, Atalanta kundër Lazios

Trofeu i dytë më i rëndësishëm në Itali, Kupa e Italisë do të njohë mbrëmjen e sotme kampionin për sezonin 2018-2019, teksa në stadiumin “Olimpico” të Romës, do të përballen finalistet Atalanta dhe Lazio.

Dy skuadrat kanë arritur me meritë deri në finale, pasi bergamaskët kanë eliminuar me radhë Cagliarin, Juventusin dhe Fiorentinën, ndërsa Lazio ka nxjerrë jashtë kompeticionit Novarën, Interin dhe Milanin.

Atalanta është duke bërë një sezon spektakolar dhe përveçse në finale të Kupës, thuajse ka siguruar një vend në Europa League dhe po luan fort për një vend në zonën Champions, për edicionin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Lazio ka komplikuar rrugën për në Europa League dhe shikon pikërisht Kupën e Italisë, si një dritare për të marrë pjesë në garat europiane sezonin e ardhshëm dhe për të mos “hedhur në kosh” këtë sezon.

Sfida e sotme do të startojë në orën 20:45 dhe do të gjykohet nga arbitri Luca Banti. Trajneri i Lazios Simone Inzaghi është shprehur se dëshiron që trofeun t’a mbajë në Romë, kurse ai i Atalantas Gian Piero Gasperini tha që është i kënaqur me rezultatet e klubit dhe pret që edhe sonte të vazhdojnë njejtë.