Sokoli ndaj Drenicës i beson Krasniqit, Mushicën e ‘gozhdon’ sërish në bankë

Betejën e radhës në ‘luftën’ për titullin e kampionit, Prishtina do ta zhvillojë ndaj Drenicës. Kjo ndeshje e cila i takon xhiros së 20 të Raiffeisen Superligës do të zhvillohet nesër në kryeqytet derisa do të fillojë në ora 13:00.

Trajneri i prishtinasve, Bylbyl Sokoli e vlerësoi lart këtë sfidë. “Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe për të gjithat imperativ është fitorja dhe njëjtë edhe në ndeshjen me Drenicën, do të hyjmë për fitore. E njohim kundërshtarin e cila ka një përbërje cilësore dhe nëse duam që të vijmë te rezultati duhet të japim maksimumin”, ka deklaruar për prishtinafc.com Bylbyl Sokoli.

Po ashtu në ndeshjen e nesërme në skuadër do të paraqiten edhe dy futbollistë të rinj titullar, portieri Visar Bekaj dhe mesfushori Endrit Krasniqi.

“Portierit Bekaj e kemi obligim t’i japim rastin, është dëshmuar në fazën përgatitore dhe tash për tash nuk ka pësuar asnjë gol. I kemi vërejtur disa gabime të cilat duhet të evitohen me punë, por unë mendoj se është një portier me perspektivë dhe tani për tani mirë po e përballon barrën e portierit standard. Ndërsa për Endrit Krasniqin është ndeshja e parë si titullar dhe unë besoj se cilësitë e tij do të vërehen në kampionat në ndeshjet e radhës. Kemi të bëjmë me një lojtar shumë të talentuar i cili i ka treguar cilësitë e tij edhe në fazën përgatitore”, ka vlerësuar Sokoli. Prishtina para këtij takimi ndodhet e dyta me 34 pikë kurse Drenica e gjashta me 26 sosh.