Sokoli: Kjo ishte arsyeja kryesore se pse Vukiceviq dështoi te Feronikeli

Kur janë zhvilluar 13 javë në Superligën e Kosovës në futboll, ndryshime të mëdha kanë ndodhur tek skuadrat, e sidomos me trajnerët.

Sezonin e nisën Ismet Munishi, Ardian Nuhiu, Gentian Mezani, Mirel Josa, Tahir Batatina, Dejan Vukiceviq, Tahir Lushtaku, Shpëtim Idrizi,  Bekim Isufi, Bekim Shotani, Artim Shaqiri dhe Xhengiz Rexhepi.

Qysh në javën e 13-të, pesë prej atyre që e filluan sezonin janë larguar nga ekipet përkatëse.

Pa dyshim që në listën e të  shkarkuarve shihet gjithashtu një numër i madh i trajnerëve të ardhur nga jashtë Kosovës.

Deri më tani në Superligën e Kosovës në futboll trajnerët e ardhur nga jashtë dhe të cilët janë shkarkuar nga skuadrat e tyre janë: Mirel Josa, Dejan Vukiceviq, Xhengiz Rexhepi, Artim Shaqiri, Antonio Toma.

Bylbyl Sokoli i cili javë më parë u nda nga Prishtina për shkaqe shëndetësore tha se suksesi i skuadrës nuk varet vetëm nga roli i trajnerit, mirëpo është e dukshme që në Kosovë, trajnerët si të huaj ashtu edhe vendor janë duke u munduar të bëjnë një punë sa më të mirë.

“Suksesi nuk varet vetëm prej trajnerit, por varet edhe prej të gjithë faktorëve brenda në klub, të cilët janë udhëheqësia, është presidenti, janë lojtarët, janë trajnerët. Zakonisht për mossukses përgjigjen gjithmonë trajnerët, por unë mendoj që suksesi varet prej shumë faktorëve brenda në klub dhe ato klube që kanë organizim të mirë, ato klube ku presidenti e kryen punën si  duhet, ku lojtarët e kryejnë punën si duhet, ku udhëheqësia e kryen punën si duhet, ku trajneri e  kryen punën si duhet domethënë të gjithë punët e veta i kryejnë si duhet atëherë kuptohet që nuk mungon rezultati”, tha fillimisht Sokoli.

Sokoli theksoi se disa prej trajnerëve të huaj në Kosovë kanë pasur shumë sukses, mirëpo tek rasti i fundit tek Feronikeli, sipas tij, problemi kryesor ishte gjuha, ku lojtarët kishin shumë problem ta kuptonin trajnerin Vukiceviq.

“Në këtë moment po mendoj që mund ti konsiderojmë si jo të suksesshëm trajnerët e tjerë, të cilët nuk kanë punuar në kampionatin e Kosovës, përpos Vukiceviqit i cili ka qenë në Drenas dhe ka bërë një punë të mirë aty dhe në kërkesë të klubit për vet kreun e tabelës, nganjëherë ngarkojnë edhe lojtarët edhe trajnerin, por jam i sigurt që aty ka munguar njohja e gjuhës, komunikimi në mes të lojtarëve dhe trajnerit dhe çdo trajner që vjen në një vend të huaj, duhet të njohësh para së gjithash gjuhën, kjo është shumë me rëndësi”, përfundoi Sokoli.

Momentalisht trajneri i vetëm i ardhur nga jashtë Kosova në Superligë është, trajneri i kampionit të Kosovës, Feronikeli, Agim Sopi.

Sopi  është i lindur në Shkup, por që jeton në Suedi qe një kohë të gjatë.