Sokoli ende nuk kënaqet, Osmani e Bekaj po

Edhe pse Prishtina fitoi 3:0 kundër Drenicës, trajneri i bardhëekaltërve Bylbyl Sokoli nuk është ende I kënaqur me lojën e skuadrës. “Fitore shumë e vështirë. Tradicionalisht me Drenicën gjithmonë Prishtina e ka pasur vështirë, kundër kësaj tradite dhe lojës së hapur të Drenicës ishte e vështirë. Patëm shumë gabime, ma munguan dy-tre futbollistë dhe u vërejt mungesa e Ylber Ramadanit dhe organizimit tonë. Mendoj që ende duhet përmirësuar lojën tone”, pohoi Bylbyl Sokoli pas ndeshjes për prishtinafc.com.

Shënuesi i dyfishtë Labinot Osmani, tha se më rëndësi janë pikët se sa golat e tij. “Mendoj se në përgjithësi ishte lojë e mirë nga dy skuadrat, sidomos pasi që ishte e hapur, ku ne patëm më shumë fat duke shënuar dhe kjo është më me rëndësi që fituam tre pikët duke shpresuar që do të vazhdojmë me këtë ritëm të fitoreve edhe në vazhdim të kampionatit”, pohoi Labinot Osmani.

Edhe portieri i ri Visar Bekaj është i lumtur që vazhdon të mos pësoj gola. “Mendoj që ishte lojë e mirë, në të cilën megjithatë kemi ngecur pak në pjesën e parë, sidomos në mesfushë. Por, në pjesën e dytë u ringjallëm pak dhe me meritë e fituam ndeshjen. Unë pata punë në dy-tre raste, i prita ato gjuajtje, por tek e fundit kjo është puna ime. Jam duke u ndjerë shumë mirë dhe shpresoj që edhe ndeshjet e ardhshme të vazhdoj të mos pësoj gola”, tha Visar Bekaj.