Skitarët kosovarë bëhen gati për gjysmëolimpiadë e Kampionat Botëror

Skitarët nga Kosova po bëhen gati për gjysmëolimpiadën që do të mbahet në Erzurum të Turqisë dhe për Kampionat Botëror që mbahet St. Moritz të Zvicrës.

Ka dy javë, që të rinjtë nga Kosova po stërviten në Brod të Dragashit, Brezovicë, e Bogë të Rugovës, derisa para nisjes do të jenë përsëri në Brezovicë, për fazën përfundimtare të përgatitjeve.

Për nënkryetarin e Federatës së Skitarisë së Kosovës, Shyqri Mema, kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që merren me këtë sport, pasi do të përballen me skitarët më të mirë evropianë e botërorë.

Selektori kryesor i Përfaqësueses së Kosovës në Skijim, Agim Pupovci, për garat që do ta përfaqësojnë shtetin në instancat ndërkombëtare në gjysmëolimpiadën e Turqisë për të rinj, në konkurrencën e meshkujve i ka përzgjedhur skitarët Arbi Pupovci dhe Vernor Gjurkaj, derisa te femrat Adea Haxhidauti dhe Lyra Hoxha.

Ndërkohë, për Kampionatin Botëror që do të mbahet në St. Moritz të Zvicrës, është përzgjedhur Albin Tahiri.

27-vjeçari, po e zhvillon ciklin stërvitor në Slloveni, aty ku edhe jeton, derisa një pjesë të tyre i ka vazhduar edhe në Austri.

Të rinjtë që do të marrin pjesë në gjysmëolimpiadën e Turqisë do të bëjnë gara në disiplinën sllallom dhe sllallom i madh, derisa Albin Tahiri përveç disiplinave të përmendura, do të bëj gara edhe në të gjitha disiplinat e shpejta.