Skiatori kosovar arrin rezultat të kënaqshëm në Turqi

Skiatori Albin Tahiri ka arritur edhe një sukses të mirë në turneun ndërkombëtar në Orzerun të Turqisë.

Ai zuri vendin e katërt në sllallomin e madh. Ai bëri paraqitjen më të mirë në krahasim me tri garat paraprake. “Bëmë paraqitje të mirë. Përfunduan garat në Orzerun, ku dy ditët e fundit garuam me garues në disiplinën e sllallomit të madh, ku edhe arritëm prapë një sukses jashtëzakonisht të mirë. Prapë garuesi Albin Tahiri u rendit në vendin e 4-të dhe morëm pikët e mjaftueshme për Olimpiadë edhe në sllallom të madh. Tani mbetet që t’i ndjekim garat e FIS-it që t’i sigurojmë pikët edhe për Super-G dhe lëshim. Albin Tahiri disiplinën e lëshimin e ka specialitet, ndërsa garuesit tjerë ishin solid”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot” Milaim Kelmendi, kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës.

“Albini në ditën e parë të sllallomit i mori 72.71 pikë, ku ishte i renditur i 6-ti, kurse në ditën e dytë prapë në sllallom, por zuri vendin e 5-të dhe fitoi 66.11 pikë. Në ditën e tretë, në sllallom të madh renditet në vendin e 7-të, duke fituar 73.17 pikë dhe së fundi fitoi 68.83 pikë”, tregon Kelmendi.

Në Turqi ishin me këta garues – femrat: Dorina Mema, Venesa Xhurkaj dhe Adea Kollqaku, kurse tek meshkujt: Albin Tahiri, Dardan Pupovci, Eron Burri dhe Euron Kapuqi.

Turneun në Turqi ishte i mirëseardhur, ku skiatorët tanë në përgjithësi përfituan një përvojë të mirë. Kelmendi tregon se po përgatiten për garën e radhës. “Gara e radhës do të jetë në Kolashin të Malit të Zi, ku Kombëtarja e Kosovës do të marrë pjesë”, tha Kelmendi. Në Mal të Zi do të marrin pjesë me skiatorët: Faton Shurdhaj dhe Arbi Pupovci.