Skënderbeu – CAS, lexojeni lajmin e fundit

Skënderbeu është në luftë me kohën për të marrë lajmin e madh nëse do të mund të luajë apo jo në Champions League për sezonin e ri 2018/19.

Pas kërkesës për apelim të vendimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, bardhekuqtë kanë depozituar edhe një kërkesë për ngrirje të vendimit që apeli i UEFA-s la në fuqi për të përjashtuar Skënderbeun nga kompeticionet europiane për 10 vitet e ardhshme.

Një dënim i tillë do të ishte i rëndë për korçarët dhe zbatimi i menjëhershëm do të kishte pasoja të drejtpërdrejta duke filluar nga përgatitjet për këtë sezon.

Por kampionët në fuqi kanë besimin e plotë se do të jenë ata që do të luajnë në Europë për të përfaqësuar Shqipërinë në Champions.

Siç raporton “Panorama Sport” se siguria e dhënë për klubin nga ana e studios ligjore “De Pfyffer” në Zvicër dhe në veçanti nga avokati i Skënderbeut, Zhan Shedrik Mishel, është tejet e madhe për pjesëmarrje këtë sezon.

Madje, zbulohet se një nga pikat e kërkesës së Skënderbeut është besueshmëria dhe korrektesa e korçarëve në sezonin e fundit që luajtën në Europa League.

Ajo me të cilën përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut po përdorin si argument qëndron pikërisht te fakti që në sezonin e fundit të luajtur në Europë, bardhekuqtë kanë respektuar në maksimum kompeticionin duke treguar se janë një ekip i drejtë dhe gjithçka e kanë arritur me meritë të plotë në fushë.

Një gjë të tillë e kishte specifikuar edhe vetë UEFA në raportin që i ka dërguar klubit bardhekuq. Këtë Skënderbeu kërkon ta përdorë si një fakt të pandryshueshëm për të shmangur dënimin derisa KAS të nxjerrë vendimin e plotë pasi të kenë gjykuar në themel dosjen bardhekuqe.

Një zgjedhje e menduar hollë nga ana e Skënderbeut, duke parë vlerësimin e dhënë nga vetë UEFA në kuptimin që në sezonin e fundit të luajtur nga bardhekuqtë e kanë cilësuar prezantimin e Skënderbeut tejet korrekt duke respektuar maksimalisht kompeticionin, në të cilin marrin pjesë.

Për këtë arsye, korçarët duke parë precedentin e tyre pozitiv garantojnë se siguria do të jetë maksimale në respektimin e garës edhe për këtë sezon. Kjo është një nga pikat e kësaj kërkese që i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.

Pritet tashmë që KAS, pasi të shqyrtojë kërkesën e avokatëve te Skënderbeut, të japë vendimin e vet në lidhje me këtë çështje. Vendim që pritet të dalë brenda 10 ditëve të para të muajit qershor.