Skandal: Polici maqedonas rrah dy basketbollistë dhe një fëmijë shqiptar

Polici maqedonas në mënyrë brutale para të gjithë spektatorëve ka goditur dy basketbollistët e rinj të Klubit basketbollist “Shkupi”. Incidenti ka ndodhur dje pas dite në orën 17.00 në Kavadar, bën të ditur Zhurnal.

Polici maqedonas pa asnjë lloj preteksti fillon të merr shufrën e gomës dhe të godet dy basketbollistët dhe më pas edhe fëmijën 11 vjeçar.

Sipas mjekut të klubit “Shkupi”, Sinan Jusufi tmerri në Kavadar filloi që në fillim të ndeshjes sportive.

“Fillimisht filluan të shajnë gjithçka ndaj shqiptarëve dhe në një moment gjatë ndeshjes polici sulmon dy basketbollistët tanë që është një tmerr I vërtetë. Por këtu çmenduria dhe stili prej kauboji i policit nuk u ndal por i njëjti filloi ta godasë edhe fëmijën 11 vjeçar. Pas ndeshjes ne donim ta denoncojmë rastin në policinë e Kavadarit porn a thanë ‘ikni sa më shpejtë për shkaqe sigurie’. Kur polici godet sportistët ky është kulmi i çmendurisë”, deklaroi për Zhurnal, mjeku i KB “Shkupi”, Sinan Jusufi.

Gjatë ndeshjes mes klubeve KB “Feni” nga Kavadari dhe KB “Shkupi” nga Shkupi nuk munguan as thirjet raciste kundër shqiptarëve.

Klubi i basketbollit “Shkupi” udhëtoi dje drejt Kavadarit për të zhvilluar ndeshjen me klubin “Feni” pa përkrahjen e tifozëve.

Mbi 200 tifozë maqedonas të klubit “Feni” kanë shprehur mllefin e tyre me brohoritje raciste si: “Shqiptari i mirë është shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta dinë shqiptarët e shkretë se emri i Maqedonisë nuk do të shuhet”, “Shqiptarëve do t’iu heqim kokën si zog”, etj.
Këto thirrje shoveniste dhe raciste kundër shqiptarëve janë dëgjuar gjatë gjithë ndeshjes së basketbollit dje në Kavadar.

Situata mund të elektrizohej edhe më tepër por forcat e rendit filluan të largojnë nga tribuna grupin e tifozëve të KB “Feni” me qëllim që të evitohet ndonjë incidenti më i rëndë.

Këto thirrje raciste në Kavadar dëshmojnë edhe njëherë se urrejtjet nacionaliste të tifozëve maqedonas nuk do të ndalen dhe siç duket të njëjtat ende po motivohen nga struktura të caktuara të pushtetit.