Situata e Hysajt te Napoli, shpërthen menaxheri i shqiptarit

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj assesi nuk po gjen qetësi te skuadra e Napolit.

Këtë situatë e ka pranuar edhe menaxheri i tij, Mario Giufredi. “Faktet tregojnë që në katër ndeshjet e fundit, Hysaj ka luajtur vetëm një, me shumë mundësi nuk është më i rëndësishëm për Ancelottin. Nëse nuk do të jetë më titullar dhe është kthyer në një pengesë, ne do ta heqim shpejtë këtë pengesë. Në verë refuzuam Chelsean pasi e kërkoi Sarri”, shprehet menaxheri i tij, transmeton Gazeta Olle.

Hysaj në ndeshjet e fundit është aktivizuar shumë pak. “Nuk meriton një trajtim të tillë, duke patur parasysh se çfarë ka bërë tek Napoli në këto 3 vite dhe për më tepër duke parë sjelljen e tij prej profesionisti”, vazhdon menaxheri Guifredi. “Ndoshta është një fazë tranzicioni, por çdo trajner ka zgjedhje e tij, nëse Hysaj është bërë zgjedhja e katërt, mjafton të na e bëjnë të ditur, nëse vazhdohet kështu do të kërkojmë menjëherë që të largohet, që në janar”, mbyll deklaratën e tij menaxheri i Hysajt duke dhënë një mesazh të qartë edhe për presidentin De Laurentis.