Simeone ka bërë diçka fantastike për futbollistin e Shqipërisë

Ajo që pritej të ishte nata e tij e madhe përfundoi me një përlotje nervoze. Ajo pritje pas sakrificave të shumta të bëra në këto vite për të debutuar me ekipin e parë të Atletikos së Madridit si titullar u mbyll vetëm me një seancë nxehjeje të nisur me buzëqeshje, vetëbesim dhe me eufori, por në fund e gjithë kjo pritje nuk rezultoi e lumtur.

Keidi Bare Atletiko 1

Keidi Bare, një nga talentet më të mëdhenj shqiptarë në botë, deri vjet kapiteni i Atletiko Madrid C, me të cilën fituan Kupën e Mbretit kundër Realit të Madridit dhe sot një nga liderët e Atletiko Madrid B, ishte grumbulluar nga Diego Pablo Simeone me skuadrën e parë.

Madje, ai pritej të ishte titullar në sfidën e vajtjes së Kupës së Mbretit, në transfertë ndaj Guihuelos, por një karton i kuq i marrë në duelin e datës 27 nëntor, ndaj Alkorkon B, të cilin e mundën 2-0, i ndërpreu ëndrrën, më saktë ia shtyu për pak ditë atë. Nuk ishte trajneri Simeone ai që ndryshoi mendim në minutat e fundit, përkundrazi ishin drejtuesit e klubit që frenuan debutimin e mesfushorit të Shpresave të Shqipërisë.

Duke qenë i skualifikuar në kampionat dhe për të shmangur një çështje “Çerishev”, si ajo që dënoi Realin vjet, ku ata e panë veten të eliminuar nga Kupa, për arsye se lojtari i tyre luajti si i skualifikuar, bëri që drejtuesit të mos merrnin një risk të tillë. Madje, ata i dërguan një shkresë zyrtare federatës, për të pyetur nëse mund ta aktivizonin 19-vjeçarin, por fakti që nuk morën kurrë një përgjigje, askush në skuadër nuk kërkonte të rrezikonte, ndonëse ai që pagoi ishte Keidi…

bare

Ky lajm aspak i lumtur e shndërroi në përlotje pritjen e madhe, pasi dëshira për të debutuar me Atletikon ishte një ëndërr që pritej të bëhej realitet, një situatë prekëse kjo e krijuar në dhomat e zhveshjes, e cila nuk la indiferent as një “të fortë” si Diego Pablo Simeone. Të gjithë këtë prapaskenë e raportoi për “Panorama Sport” babai i futbollistit, Artan Bare.

“Keidi kishte kohë që e priste këtë moment magjik për të. Të gjitha sakrificat e bëra për vite me radhë priteshin të shpërbleheshin natën e të mërkurës. Simeone ka besim te Keidi dhe kundër Guihuelos pritej të ishte titullar. Por kur e lajmëruan për këtë mundësi të rrezikshme, në rast të prezencës së tij në fushë, për të ishte e pamundur që të mos mallëngjehej sepse e dëshironte me të gjitha forcat këtë shans, por natyrisht që e mirëkuptoi.

Në dhomat e zhveshjes u krijua një situatë vëllazërore, pasi të gjithë shokët, ndonëse i pari ndër të gjithë ishte Simeone ai që e ngushëlloi, e përqafoi, por me premtimin se në ndeshjen e kthimit të Kupës përballë tifozërisë së tij askush nuk do t’ia rrëmbente këtë mundësi, pasi deri atëherë (sfida e kthimit luhet më 20 dhjetor) ai do ta ketë shlyer skualifikimin me Atletikon B dhe të gjithë kemi bindjen se më në fund Keidi do të plotësojë ëndrrën e tij”.